Gjashtë deputetë të LDK-së kanë dalë kundër marrëveshjes së arritur të kësaj partie me Vetëvendosjen, për emrin e presidentit.
Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Armend Zemaj, Arben Gashi, Kujtim Shala e Janina Ymeri, kanë thënë se nuk kanë votë për Bekim Sejdiun e as nuk ia bëjnë kuorumin.
Analistja politike, Alma Lama, ka komentuar këto zhvillime, derisa ka thënë se këta deputetë më shumë se emrin, po kundërshtojnë nënshtrimin ndaj VV-së.
Sipas saj, është amatoreske mënyra si ka vepruar Abdixhiku, duke rënë nën kthetrat e Kurtit.
“Më shumë se kundërshtim i emrit të kandidatit për president, mua po më duket kundërshtim i nënshtrimit ndaj VV-së. Kryetari i LDK-së duhet të ishte konsultuar me deputetët e partisë së tij para se të negocionte. Kjo është amatoreske dhe ka rënë nën kurthin e Kurtit”, është shprehur ajo për Gazeta Blic.
Në anën tjetër, ajo ka pyetur se si mund të zgjidhet presidenti kur Kuvendi është jo kushtetues.
“E dyta, si mund të zgjidhet presidenti kur parlamenti është jo kushtetues? Kjo çështje kërkon zgjidhje urgjente në Gjykatë Kushtetuese, jo të sillen sikur nuk ka ndodhur asgjë. Abdixhiku e ka amnistuar Kurtin që po shkatërron rendin kushtetues me veprimet e tij, duke shkuar në takime e bërë marrëveshje. Duhet të kthehet ligjshmëria sa më parë”, ka deklaruar Alma Lama./Gazeta Blic/


