Lajmet e fundit

Pjesëmarrja në seancën e 9 shtatorit, Behrami: PDK-ja vendos pas mbledhjes së grupit parlamentar
Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës ende nuk ka marrë vendim për pjesëmarrjen në seancën e 9 shtatorit, të thirrur nga kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari.
Në një intervistë në “Info Magazine” në Klan Kosova, Behrami tha se vendimi pritet të merret pas mbledhjes së kryesisë dhe grupit parlamentar të PDK-së.
“Nesër Partia Demokratike e Kosovës do ta mbledhë edhe Kryesinë edhe Grupin Parlamentar dhe unë besoj që aty do t’i bisedojmë të gjitha temat. I kemi biseduar edhe më herët, po nuk po dua sot me dhënë informacione”, tha Behrami.
I pyetur nëse në këtë mbledhje do të vendoset edhe për pjesëmarrjen në seancën e 9 shtatorit, Behrami tha se orientimi i partisë është diskutuar paraprakisht, por vendimi përfundimtar do të merret pas diskutimeve.
“Unë besoj që edhe nesër, kemi biseduar dhe më herët pak a shumë e kemi të qartë orientimin. Po edhe nesër do të diskutojmë për hapat e mëtutjeshëm, për të gjitha hapat që i bën PDK-ja”, u shpreh ai.
Behrami tha se PDK-ja synon që, në koordinim edhe me partitë e tjera opozitare, të ndërmarrë hapa për rikthimin e funksionimit kushtetues të institucioneve.
“Unë e shpresoj në koordinim edhe me partitë e tjera, janë për me rikthyer ligjshmërinë, për me rikthyer funksionimin e Kushtetutës në Republikën e Kosovës, e cila është suspenduar qëllimisht nga ky njeri”, deklaroi Behrami./Klankosova.tv