Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas mbledhjes së Kryesisë dhe Grupit Parlamentar të LDK-së, të mbajtur gjatë ditës së djeshme, duke komentuar zhvillimet e fundit politike dhe qëndrimin e partisë së tij, raporton GazetaBlic.
Abdixhiku ka theksuar se LDK-ja nuk kishte një marrëveshje për bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje, pasi qëndrimi i partisë kishte qenë që të qëndronte në opozitë.
“Dje nuk u refuzua asnjë marrëveshje qeverisëse me VV-në, sepse një marrëveshje e tillë nuk ekzistonte. LDK-ja kishte vendosur të qëndronte në OPOZITË. Të gjithë deputetët tanë ishin pajtuar me këtë pozicion”, ka shkruar ai.
Sipas tij, në zhvillimet e djeshme është refuzuar votimi i kandidatit të propozuar nga LDK-ja për president të Kosovës.
“Dje u refuzua zgjidhja e Presidentit të Kosovës. U refuzua votimi i kandidatit të propozuar nga LDK-ja dhe, me këtë refuzim, u përcaktua edhe fati i vendit, zgjedhje të reja”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai ka kritikuar ata që, sipas tij, po e paraqesin këtë situatë si një arritje politike, duke ngritur pyetjen se çfarë është “shpëtuar” me këtë zhvillim.
“Prandaj, për çfarë po rrahin gjoks? Çfarë paskan shpëtuar?”, ka shkruar kreu i LDK-së.
Abdixhiku ka thënë se zgjedhjet e reja nuk kanë qenë pjesë e agjendës së LDK-së dhe se ato nuk kanë qenë as kërkesë dhe as vendim i anëtarësisë së partisë.
“Zgjedhjet e reja nuk kanë qenë agjendë e LDK-së. Nuk kanë qenë as kërkesë dhe as vendim i anëtarësisë sonë”, ka shkruar ai.
Sipas Abdixhikut, zgjedhjet e reja kanë qenë prej muajsh pjesë e agjendës së grupeve të tjera politike, të cilat, sipas tij, tashmë po ndikojnë edhe në rrjedhat brenda LDK-së.
Për këtë situatë, ai ka shprehur “keqardhje”, por ka thënë se kjo nuk nënkupton dorëzim.
Në fund të reagimit, Abdixhiku ka deklaruar se LDK-ja do të vazhdojë të qëndrojë në atë që e konsideron të drejtë.
“Por jo dorëzim. Je shumë. Jemi në të drejtë. E kemi detyrim. Republika megjithatë do të triumfojë!”, ka përfunduar ai.
Një ditë më parë, gjashtë deputetë të LDK-së – Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Janina Ymeri, Armend Zemaj dhe Kujtim Shala – kundërshtuan marrëveshjen e arritur nga kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, me Vetëvendosjen për propozimin e Bekim Sejdiut për president. Marrëveshja ishte mbështetur edhe nga Kryesia e LDK-së. Pa votat e këtyre deputetëve, zgjedhja e Sejdiut duket e vështirë, nëse në proces nuk përfshihen edhe parti të tjera shqiptare.
Në konferencën për media të martën, Abdixhiku kritikoi qëndrimin e gjashtë deputetëve dhe paralajmëroi se ndaj tyre mund të ndërmerren edhe masa ndëshkuese.


