Lajme

“Abdixhiku hyri krye në vete në bisedimet me Kurti” – Maliqi paralajmëron pëçarje të re në LDK

09/02/2026 15:14
nga:L J

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku deklaroi se gjashtë deputetë të kësaj partie nuk do ta mbështesnin kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Kosovës.

Abdixhiku përmendi me emër deputetët Abdullah Hoti, Arben Gashi, Armend Zemaj, Hykmete Bajrami, Kujtim Shala dhe Janina Ymeri si deputetët që, sipas tij, kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Sejdiun.

Analisti Shkëlzen Maliqi, në një përgjigje për Gazeta Blic e ka cilësuar si të pritshëm reagimin e gjashtë deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës kundër kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, lidhur me bisedimet e tij me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Maliqi thotë se Abdixhiku ka hyrë në këto bisedime “më shumë krye në vete”, pa konsultime me grupin e gjashtë deputetëve, të cilët, sipas tij, janë ndër zërat më të artikuluar dhe me ndikim në LDK.

“Është reagim i pritur, sepse Abdixhiku ka hyrë në bisedime me Albin Kurtin më shumë krye në vete, pa konsulta me grupin e 6 deputetëve, si më të zëshmit edhe në gati gjysmën e anëtarëve të Këshillit Drejtues të LDK-së që disa javë më parë e kërkuan dorëheqjen e Abdixhikut. Ai e kaloi këtë sfidë, por diferenca në vota ishte e vogël”, ka deklaruar Maliqi.

Sipas tij, deputetët janë ndër më të votuarit dhe më me ndikim në parti, ndërsa Abdixhiku po gabon duke tentuar t’i injorojë ose margjinalizojë.

“Abdixhiku e ka gabim që po përpiqet me i injoru dhe margjinalizu duke u thirrur në mbështetjen që e ka te një shumicë më anonime dhe më të pazë të udhëheqësisë të LDK-së. Kjo çon në pëçarje të re të LDK-së”, tha ai.

Maliqi e ka krahasuar situatën aktuale me përçarjet e mëparshme në LDK, duke përmendur përplasjen mes Fatmir Sejdiut dhe Nexhat Dacit.

“Çfarë pat ndodh pas Kuvendit në të cilin për drejtimin e partisë konkuronin Fatmir Sejdiu dhe Nexhat Daci. Sejdiu fitoi shumicën relative dhe u tregua mospërfillës ndaj përkrahësve të Dacit, u la vetëm disa vende simbolike në kryesinë e partisë. Daci iku nga LDK me një parti të tij, pasoja ishte përgjysmimi i votës së LDK-së”, u shpreh Maliqi.

Ai përmendi edhe largimin politik të Vjosa Osmanit nga LDK-ja, duke thënë se kjo parti u dobësua edhe më tej pas përplasjes së saj me strukturat e LDK-së.

“Më vonë, LDK-në e përgjysmoi prapë edhe Vjosa Osmani që hyri në pazare personale me Albin Kurtin, për t’u bërë presidente. Nëse tani ndodh sërish çarja, LDK-ja do të margjinalizohet edhe më tej”, deklaroi Maliqi.

Sipas tij, grupi i deputetëve që kundërshtojnë Abdixhikun ka më shumë autoritet dhe gjasa për ta imponuar qëndrimin e vet sesa kryetari i LDK-së.

“Besoj se më shumë aftësi, autoritet dhe gjasa ka grupi i rebeluar se sa Abdixhiku me Osmanin”, tha ai.

Maliqi vlerëson se zhvillimet e fundit mund ta çojnë vendin drejt përsëritjes së zgjedhjeve, pasi sipas tij, Albin Kurti tashmë e ka identifikuar atë që e konsideron përgjegjës për pamundësinë e sigurimit të votave për presidentin e ri.

“Ky zhvillim çon drejt përsëritjes së zgjedhjeve, sepse Albin Kurti e gjeti fajtorin se kush po e bllokon sigurimin e votave për zgjedhjen e presidentit të ri”, tha ai.

Ai shtoi se dështimi i përpjekjes për një kandidat konsensual mund t’i hapë rrugë Kurtit që të kërkojë marrëveshje me Partinë Demokratike të Kosovës.

“Në të vërtetë, dështimi i Abdixhikut teorikisht dhe praktikisht e hap rrugën që Kurti t’i drejtohet PDK-së për të gjetur një kandidat konsensual për president, sepse me PDK-në, sa i përket numrit të deputetëve, kjo do të realizohej më lehtë”, deklaroi Maliqi.

Megjithatë, sipas tij, një marrëveshje e tillë do të kërkonte garanci të plota politike.

“Kurti nuk mund të llogarisë që të bëjë lojëra dhe manovra me PDK-në, pa marrëveshje paraprake politike dhe garancitë e plota se presidenti nuk do të jetë kukull, por mbrojtës aktiv i Kushtetutës dhe gardian i funksionalitetit të institucioneve”, tha ai.

Duke komentuar deklaratat e Kurtit pas dështimit të zgjedhjes së presidentit, Maliqi u shpreh kritik ndaj paralajmërimeve për mundësi të përdorimit të metodave të dhunshme nga opozita.

“Në reagimin e Kurtit pas dështimit të ‘kandidatit konsensual’, ai paralajmëroi se, sipas informatave që i ka, opozita do të përcaktohet për metodat e dhunshme të marrjes së pushtetit”, tha Maliqi.

Ai e cilësoi këtë si një skenar që, sipas tij, Kurti mund ta shohë si të favorshëm për vazhdimin e qeverisjes në detyrë.

“Çka mua më duket se ai e sheh si një skenar që ai e dëshiron, që gjendja të bëhet sa më kaotike, ku pos vazhdimit të qeverisjes në detyrë pa dhënë askujt përgjegjësi, do të kalonte me lehtësi te shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, me Kurtin dhe Sveçlën si autoritete supreme të një autokracie”, u shpreh ai.

Në fund, Maliqi theksoi se një skenar i tillë do të përballej me faktin se Kosova vazhdon të jetë nën praninë e KFOR-it, përkatësisht NATO-s.

“Por, te ky skenar, mbase po harrohet se Kosova është ende nën protektorat të KFOR-it, përkatësisht NATO-s. A mundet Kurti me e trajtu krizën që po e shkakton vetë – si çështje të brendshme? Vështirë!”, përfundoi Maliqi./Gazeta Blic