Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ndaj 11 personave, të dyshuar për veprat penale “Marrja e ryshfetit” dhe “Dhënia e ryshfetit”.
Sipas aktakuzës, ndaj mjekëve V.R. dhe E.S. është ngritur aktakuzë për veprën penale “Marrja e ryshfetit”.
Prokuroria pretendon se mjeku V.R., në gjashtë raste, ndërsa mjeku E.S., në tri raste, në cilësinë e personave zyrtarë – mjekë në Spitalin e Vushtrrisë, në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë kërkuar dhe pranuar shuma të ndryshme parash, me qëllim që të vepronin në përputhje me detyrat e tyre zyrtare për ofrimin e shërbimeve mjekësore ndaj pacientëve.
Ndërkaq, ndaj nëntë personave të tjerë, F.V., B.Q., F.Xh., B.G., B.A., K.H., S.N., V.Y. dhe L.K., është ngritur aktakuzë për veprën penale “Dhënia e ryshfetit”.
Sipas Prokurorisë, të pandehurit akuzohen se, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, për vete apo për persona të tjerë, u kanë premtuar, ofruar ose dhënë mjekëve shuma të ndryshme parash, nga 50 deri në 300 euro, si shpërblim për operimin e familjarëve të tyre.
Me rastin e ngritjes së aktakuzës, Prokuroria Themelore në Mitrovicë i ka kërkuar gjykatës që të pandehurit t’i shpallë fajtorë për veprat penale për të cilat akuzohen dhe t’i dënojë sipas ligjit.


