Sporti

Disiplina “shkund” presidentin Xhaferi dhe trajnerin Edi Martini, gjobë e majme edhe për Elbasanin pas përplasjes

09/02/2026 18:17
nga:L J

Është zbardhur ditën e sotme vendimi i Komisionit të Disiplinës dhe Etikës pranë Federatës shqiptare të Futbollit, pas skandalit të dhunës që u regjistrua pas ndeshjes mes Elbasanit dhe Vllaznisë, sfidë e vlefshme për javën e dytë të Superiores.

Kështu, për presidentin e klubit shkodran, Alban Xhaferin është vendosur edhe pezullimi për 15 ndeshje nga aktivitetet sportive, pas grushtit ndaj asistentit të arbitrit, Ergys Spahiu.

Edhe trajneri Edi Martini ka njohur masën e Disiplinës që ka vendosur ta pezullojë për 6 ndeshje nga veprimtaritë. Sa i takon Elbasanit, është vendosur që klubi verdheblu të paguajë 100 mijë lekë të reja për mospërmbushje të përgjegjësive lidhur me rendin dhe sigurinë.

Sakaq, për teknikun e Dinamos, Ilir Dajën, është vendosur pezullimi me dy ndeshje, pas protestave ndaj arbitrit në ndeshjen Skënderbeu – Dinamo.

Në anën tjetër, Komisioni ka vendosur të pranojë edhe kërkesën e lojtarit të Partizanit, Rowan Human, për konvertimin e pjesës së mbetur të dënimit. Kështu, lojtari do të jetë i gatshëm për trajnerin Florin Bratu që në ndeshjen e ardhshme që të kuqtë do ta luajnë me Vllazninë në transfertë.