Kandidati për GJKKO vendos rregullat, KLGJ ende s’zgjedh kryetarin
Erion Bani nuk është kryetar i zgjedhur i Gjykatës së Posaçme. Është zëvendëskryetar që ushtron përkohësisht kompetencat e kryetarit për shkak të vakancës dhe, njëkohësisht, kandidat për ta marrë vetë këtë post. Megjithatë, në këtë status të përkohshëm, Bani ka ndërmarrë një nga ndërhyrjet më të forta në funksionimin e GJKKO-së, duke miratuar një rregullore që kufizon drejtpërdrejt ushtrimin e detyrës së gazetarëve dhe ka shkaktuar përplasje serioze me avokatët.
Dhe këtu përgjegjësia nuk është vetëm e Banit. Është edhe e Këshillit të Lartë Gjyqësor, i cili prej kaq kohësh nuk arrin të zgjedhë kryetarin e GJKKO-së, por ndërkohë lejon që një zëvendëskryetar, që është vetë kandidat për atë karrige, të marrë vendime me pasoja afatgjata për median, avokatët dhe mënyrën e funksionimit të Gjykatës.
Bani ushtron kompetencat e kryetarit për shkak të vakancës. Por kjo nuk e mbyll debatin. Përkundrazi, e hap atë: a është normale që një drejtues i përkohshëm dhe kandidat për postin të ndryshojë rregullat e lojës për të tjerët, ndërsa KLGJ vazhdon të shtyjë zgjedhjen e drejtuesit të ligjshëm me mandat të plotë?
Rregullorja e re kufizon drejtpërdrejt ushtrimin e detyrës së gazetarëve, vendos barriera të reja për aksesin dhe ka sjellë përplasje edhe me avokatët. Avokati Dorian Matlija u gjobit me 50 mijë lekë pasi refuzoi të dorëzonte telefonin, ndërsa ngriti një problem shumë më të rëndë: prokurorët lejohen të hyjnë me telefonat e tyre, avokatët jo.
Nëse rregullorja zbatohet kështu, Bani duhet të shpjegojë publikisht pse prokuroria privilegjohet përballë mbrojtjes. Prokurori dhe avokati janë palë në proces dhe solemniteti i Gjykatës nuk mund të shërbejë si justifikim për t’i dhënë njërës palë atë që i ndalohet tjetrës.
Edhe argumenti i sigurisë bëhet i vështirë për t’u mbrojtur kur Gjykata e Posaçme e Apelit, në të njëjtën godinë, nuk zbaton të njëjtat kufizime. Gazetarët atje vazhdojnë të përdorin telefonat dhe gjyqtarja Saida Dollani ua ka bërë të qartë: “Rregullat e transparencës tek ne nuk ndryshojnë.” Pra, çfarë rreziku ekziston në katin e Banit që zhduket në katin e Apelit?
Rregullorja ka marrë tashmë edhe vëmendje ndërkombëtare. Federata Europiane e Gazetarëve dhe Media “Freedom Rapid Response” e kanë konsideruar një regres alarmues për transparencën gjyqësore dhe kanë kritikuar miratimin pa konsultim me gazetarët. Reporterët “Pa Kufij” kanë ngritur shqetësime për kufizimet, ndërsa “SafeJournalists” ka kërkuar rishikim dhe dialog. Çështja është ndjekur edhe nga OSBE-ja.
Madje janë ngritur pikëpyetje për përputhjen e rregullores së re me udhëzimet e KLGJ-së të vitit 2023 për marrëdhëniet e gjykatave me median dhe publikun. Dhe pikërisht këtu KLGJ nuk mund të sillet si spektator. Nëse ekzistojnë tashmë udhëzime të Këshillit për marrëdhënien e gjykatave me median, pse KLGJ nuk kërkon publikisht shpjegime se përse një zëvendëskryetar në detyrë ka ndërtuar një regjim më kufizues? A e ka verifikuar KLGJ ligjshmërinë dhe proporcionalitetin e këtyre kufizimeve? Apo do të reagojë vetëm pasi rregullorja të prodhojë konflikt pas konflikti?
Koha kur Bani ndërmerr gjithë këtë ofensivë administrative e bën çështjen edhe më të diskutueshme. Ai është në garë me gjyqtarin Erion Çela për drejtimin e GJKKO-së, ndërsa institucioni që duhet të zgjedhë mes tyre vazhdon ta shtyjë vendimmarrjen. Më 25 shtator zhvillohen zgjedhjet për tre anëtarë të rinj gjyqtarë të KLGJ-së, nga Gjykata e Lartë, Apeli dhe shkalla e parë. Përbërja e Këshillit do të ndryshojë dhe më pas do të vijojnë vendimmarrjet e tij. Atëherë pyetja bëhet edhe më e fortë: pse KLGJ nuk e ka zgjedhur kryetarin e GJKKO-së dhe pse po lejon që një kandidat të vazhdojë të ushtrojë pushtetin e kryetarit ndërsa pret votën për t’u bërë vetë kryetar?
Në këtë periudhë, Bani ka shtuar edhe komunikimin institucional të GJKKO-së në rrjetet sociale, përfshirë Facebook-un, duke orientuar publikun drejt kanaleve zyrtare të Gjykatës. Pra, nga njëra anë ndërtohet mekanizmi përmes të cilit Gjykata prodhon dhe shpërndan vetë informacionin që dëshiron, ndërsa nga ana tjetër gazetarit që duhet ta kontrollojë institucionin i vendosen barriera të reja. Kjo nuk është transparencë. Gazetari nuk është zëdhënës i Gjykatës dhe lajmi nuk mund të zëvendësohet me postimin në Facebook të institucionit.
Modeli të kujton atë që ndodhi me Altin Dumanin në SPAK, ku me marrjen e drejtimit u vendosën rregulla të reja për marrëdhënien me gazetarët dhe informacionin. Edhe atëherë një pjesë e medias heshti. Fatkeqësisht, disa gazetarë që nuk kundërshtuan kufizimet e Dumanit po heshtin edhe për rregulloren e Banit. Kur gazetari hesht për të mos prishur marrëdhënien me titullarin që nesër mund t’i japë një informacion, ai nuk po kontrollon më pushtetin; rrezikon të kthehet në të varur prej tij.
Ndërkohë, trajtimi më favorizues i prokurorëve ndaj avokatëve vetëm sa ushqen perceptimin se në drejtësinë e posaçme prokuroria po trajtohet gjithnjë e më shumë si një palë e privilegjuar. Dhe kjo i jep tjetër peshë debatit të krijuar nga deklaratat e Altin Dumanit për fuqinë dhe ndikimin e SPAK-ut përballë gjykatave.
Por në fund përgjegjësia institucionale kthehet përsëri te KLGJ. Pse nuk zgjidhet kryetari i GJKKO-së? Pse një kandidat vazhdon të drejtojë përkohësisht institucionin ku kërkon të bëhet kryetar? Pse i lejohet të miratojë rregulla që prekin drejtpërdrejt gazetarët dhe avokatët? Ku është kontrolli i KLGJ-së mbi këto vendime dhe mbi çfarë baze juridike janë miratuar këto kufizime?
Erion Bani mund të ketë kompetencat e kryetarit në detyrë, por nuk ka mandatin e një kryetari të zgjedhur. Dhe pikërisht për këtë arsye, sa më shumë pushtet ushtron dhe sa më shumë rregulla vendos ndërsa është kandidat për atë post, aq më e madhe bëhet përgjegjësia e KLGJ-së për të shpjeguar pse e ka lënë këtë situatë të vazhdojë. Sepse problemi tashmë nuk është vetëm çfarë po bën Erion Bani. Problemi është edhe pse KLGJ po e lejon ta bëjë.|Mashqip







