Flash News

Ditari i Opozitës

Berisha thirrje diasporës: Bashkohuni me protestën, rruga e rikthimit kalon nga largimi i Ramës

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje shqiptarëve në diasporë që të angazhohen në protestën qytetare që prej tre muajsh po zhvillohet në Tiranë me kërkesën për largimin e kryeministrit Edi Rama.

Në një mesazh nga Shtetet e Bashkuara, Berisha e vuri theksin te largimi i shqiptarëve nga vendi, duke deklaruar se gjatë dekadës së fundit rreth 1 milion e 99 mijë shqiptarë janë larguar drejt zonës Schengen.

Lideri demokrat iu drejtua drejtpërdrejt diasporës shqiptare në mbarë botën, duke e ftuar të japë kontributin e saj në protestë dhe theksoi se Partia Demokratike e mbështet fuqimisht atë.

Berisha: Keni një mundësi të madhe, me përfaqësuesit tuaj, ju më shumë se kushdo tjetër në çdo vend tjetër, mund të luani një rol parësor në këtë betejë, me të keqen në Shqipëri.

Është koha për veprim! Është emergjencë! Rruga e rikthimit, e ripopullimit kalon nga largimi i Edi Ramës. Partia Demokratike ka një program, e cila nga themelimi i saj gjer sot, ka patur interesin e parë, interesin kombëtar, e cila vendos familjen në themel të shoqërisë, e cila në këtë situatë të krijuar dramatike, do bëjë gjithçka me ripopullimin e Shqipërisë, për ripopullimin e Shqipërisë.

Prej tre muajsh, rinia dhe qytetarët e Tiranës janë angazhuar në një protestë, më të madhen që nga vitet 90. Në këtë protestë, ata kërkojnë largimin e Edi Ramës. Kërkojnë veprimin, funksionimin e institucioneve. Kërkojnë mbrojtjen e pasurive publike, dhe ai sillet si një tiran i vërtetë ndaj tyre.

Ndaj dhe unë ju bëj thirrje ju, i bëj thirrje diasporës shqiptare kudo në botë, të japë kontributin e saj në këtë protestë. Partia Demokratike e mbështet fuqishëm atë.

Të fundit