Biznesmeni Luan Muça ka reaguar publikisht lidhur me përplasjen me biznesmenin Vasil Bedinaj, duke dhënë versionin e tij për ngjarjen dhe duke kërkuar nga Policia e Shtetit zbardhjen e plotë të saj.
Muça thotë se ka zgjedhur të heshtë deri tani për shkak të pozitës që ka mbajtur, por sipas tij, tashmë është e nevojshme që opinioni publik të dëgjojë drejtpërdrejt versionin e tij.
Sipas Muçës, ai ka investuar që prej vitit 2019 në zonën e Palasës, ku pretendon se ka blerë rreth 97 mijë metra katrorë tokë nga pronarë vendas. Ai deklaron se më 15 korrik 2021 ka marrë statusin e investitorit strategjik, mbi bazën e një projekti të hartuar nga studioja ndërkombëtare EEA – Emre Arolat Architecture.
Muça thotë se në vitin 2022 aplikoi për lejen e fazës së parë të ndërtimit të një hoteli me pesë yje dhe brand ndërkombëtar, ndërsa në vitin 2024 leja u zbardh dhe nisën punimet. Po gjatë vitit 2024, sipas tij, u bë edhe aplikimi për fazën e dytë të projektit.
“Që prej vitit 2019, kam vendosur të ndërmarr një investim në zonën e Palasës. Gjatë kësaj kohe, kam blerë në Palasë, nga shumë pronarë vendas, 97.000 m² tokë. Jam detyruar që, gjatë kësaj periudhe, pjesën më të madhe të tokës ta blej edhe nga dy herë”, deklaroi Muça.
Sipas tij, më vonë ka konstatuar përmes rrjeteve sociale se ishte dhënë një leje ndërtimi në tokën që ai pretendon se kishte blerë dhe mbi të cilën ishte dhënë statusi i investitorit strategjik. Ai thotë se në kuadër të projektit po reklamohej edhe shitja e njësive, apartamenteve dhe vilave.
Pas kësaj, Muça deklaron se iu drejtua Agjencisë së Zhvillimit të Territorit për të marrë informacion mbi çështjen. Sipas tij, nga AZHT-ja u njoftua se dokumentacioni i palëve do të verifikohej dhe se deri në përfundimin e procesit nuk do të bëhej zbardhja e lejes së ndërtimit.
Muça pretendon se rreth një orë më vonë është telefonuar nga Vasil Bedinaj, i cili, sipas tij, i kërkoi të mos paraqiste në AZHT pretendimet lidhur me pronën. Të dy, sipas Muçës, ranë dakord të takoheshin në Orikum, në hotelin e Bedinajt, për të diskutuar situatën.
Biznesmeni pretendon se edhe në një takim të mëparshëm me Bedinajn, rreth një vit më parë, ky i fundit ishte shoqëruar nga disa persona të armatosur.
“Kur shkova atje, z. Bedinaj nuk ishte vetëm, por ishte i shoqëruar nga një numër i madh njerëzish të armatosur”, tha Muça.
Sipas versionit të tij, në takimin në Orikum, ai shkoi i shoqëruar nga familjarë. Muça pretendon se sapo nisi të shpjegonte pretendimet e tij lidhur me pronën, situata u tensionua dhe Bedinaj nisi ta shante dhe ofendonte.
“Edhe pse nga kamerat që z. Bedinaj i ka servirur opinionit publik kjo nuk duket qartë, në këtë moment ai thirri njerëz të armatosur, të cilët ishin të pozicionuar në vende të ndryshme të ambienteve të tij”, deklaroi Muça.
Ai pretendon se, pasi situata u përshkallëzua, vendosi të largohej nga ambientet e biznesit.
“Në këtë moment, situata ka degraduar dhe unë kam kuptuar se z. Bedinaj nuk më kishte thirrur për t’u sqaruar, por për të prodhuar skandalin e tij të radhës. Për këtë arsye, jam ngritur dhe kam ikur”, u shpreh ai.
Muça pretendon më tej se, gjatë largimit nga ambientet, ndaj grupit me të cilin ndodhej janë qëlluar me armë. Për këtë arsye, ai i ka kërkuar Policisë së Shtetit zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave që, sipas tij, kanë qëlluar me armë.
Biznesmeni ka akuzuar gjithashtu Bedinajn për manipulim të opinionit publik, duke pretenduar se në media janë publikuar versione sipas të cilave ai i kishte vendosur gjobë.
“Jam çuditur shumë që, gjatë kësaj situate, z. Bedinaj kishte qetësinë dhe përkujdesjen që, në të gjitha mediat mbi të cilat kishte ndikim, të shpërndante lajme të rreme, sipas të cilave unë i kisha vendosur gjobë, si dhe të shpërndante pamjet filmike nga këndet që ai dëshironte”, tha Muça.
Ai ka kundërshtuar gjithashtu akuzën për gjobëvënie, duke e cilësuar atë si një pretendim dashakeqës dhe duke vënë në dukje aktivitetin e tij biznesor në Shqipëri dhe jashtë vendit.
Muça deklaron se është krijues dhe zhvillues i një grupi kompanish që operojnë në katër kontinente dhe se bizneset e tij kanë qarkullim multimilionësh.
Ai pretendon gjithashtu se është mbajtur i ndaluar për 72 orë nga Policia e Shtetit nën dyshimin për gjobëvënie ndaj Vasil Bedinajt.
Në përfundim, Luan Muça është shprehur i gatshëm të vërë në dispozicion të mediave dhe opinionit publik dokumentet që, sipas tij, mbështesin deklaratat e bëra në reagimin e tij.
Pretendimet e bëra nga Muça janë versioni i tij për ngjarjen dhe pritet të përballen me provat e hetimit, si dhe me versionin e palës tjetër.


