Janë luajtur ditën e sotme 3 ndeshjet që kanë mbyllur javën e parë të Kategorisë së Parë.
Emocione dhe gola ka dhuruar supersfida Besa-Flamurtari, që u transmetua drejtpërdrejt në RTSH 2. Besa flirton me fitoren, por në fund të 90 minutave nuk merr më shumë se një pikë përballë vlonjatëve. Mbyllet në barazim 3-3 një ndeshje e bukur dhe e luftuar.
Ruzgis është protagonist absolut për kavajasit, pasi shënon 3 herë në portën e Flamurtarit, por vlonjatët nuk dorëzohen dhe barazojnë në minutat e fundit të takimit me Lushajn (më herët kishin shënuar edhe Migone në pjesën e parë dhe Gjata).
Mbyllet në barazim 2-2 ndeshja në “Liri Ballabani” mes Burrelit vendas dhe Kastriotit. Krutanët ishin në avantazh të dyfishtë, por matjanët evitojnë humbjen falë një goli të shënuar në minutat shtesë.
Një gol i Spahiut në limitet e kohës së rregullt i dhuron fitoren Korabit në sfidën kundër Orikut. Dibranët fitojnë 1-0 dhe nisin sezonin në mënyrën më të mirë.