Bisedimet e para në Kiev mes të dërguarve amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky janë zhvilluar të dielën, në kuadër të përpjekjeve të administratës amerikane për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.
Pas takimit, Witkoff i cilësoi bisedimet si “domethënëse” dhe “substanciale”, duke shprehur shpresën që procesi diplomatik të vazhdojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme,raportojnë mdeiat ndërkombëtare.
Edhe Jared Kushner e vlerësoi pozitivisht vizitën në Kiev, duke thënë se delegacioni amerikan kishte mësuar shumë gjatë këtij udhëtimi.
Takimi në Kiev u zhvillua një ditë pas bisedimeve treorëshe të Witkoff dhe Kushner me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë. Sipas zyrtarëve amerikanë, në takimin me Putinin u diskutuan hapa të mëtejshëm për përfundimin e luftës, por deri tani nuk është bërë publik ndonjë marrëveshje konkrete.
Në Kiev, krahas delegacionit amerikan dhe atij ukrainas, ndodhen edhe këshilltarë të sigurisë kombëtare nga Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania, të cilët pritet të marrin pjesë në konsultimet për hapat e ardhshëm diplomatikë.
Zelensky ka deklaruar se Ukraina është e gatshme për një dialog konstruktiv, por ka theksuar se për një marrëveshje paqeje nevojiten garanci të besueshme të sigurisë.
Vizita e Witkoff dhe Kushner në Kiev është e para që nga fillimi i pushtimit të plotë rus të Ukrainës dhe shënon intensifikimin e përpjekjeve diplomatike të administratës së presidentit amerikan Donald Trump për t’i dhënë fund luftës./ RTK.
© SYRI.net