Pritja e qytetarëve nga titullarët, formalitet apo detyrim?

6 Shtator 2026, 19:35Blog TEMA
Pritja e qytetarëve nga titullarët, formalitet apo detyrim?

Nga Musa Kurtulaj

Ndërkohë që Kryeministri Edi Rama ka shpallur nismën “Prania Besnike”, sipas së cilës deputetët duhet të jenë çdo të premte, në orën 17:00, në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët për të dëgjuar dhe evidentuar shqetësimet e tyre, tërheq vëmendjen një fakt tjetër: tradita e pritjes së popullit nga drejtuesit e institucioneve, e njohur prej vitesh, në një masë të madhe është harruar!

Dikur, qytetari e dinte se në një ditë të caktuar të javës, në një orar të përcaktuar qartë, mund të shkonte në institucion dhe të pritej nga drejtuesi përgjegjës. Sot, në shumë raste, kjo traditë ka mbetur vetëm si një shënim formal në faqet online të bashkive apo institucioneve: “Pritje e popullit, çdo të ditë të..., nga ora... deri në orën...”. Dhe kaq! Nuk thuhet qartë kush pret, cili është zyrtari përgjegjës dhe çfarë përgjegjësie mban ai nëse nuk e realizon këtë detyrim.

Kjo nuk mund të konsiderohet thjesht një mangësi administrative, por shenjë e një problemi më të thellë: shkëputjes së administratës nga qytetari.

Administrata publike paguhet me taksat e qytetarëve dhe misioni i saj themelor është t’u shërbejë atyre. Qytetari nuk duhet të ndihet sikur po i kërkon një favor administratës kur kërkon të dëgjohet nga drejtuesi i institucionit. Ai ka të drejtë të kërkojë zgjidhjen e një problemi dhe institucioni ka detyrimin ta dëgjojë, ta trajtojë dhe t’i japë përgjigje brenda kompetencave të tij. Është kjo arsyeja se pse tradita e pritjes së qytetarëve duhet të rikthehet dhe të mos mbetet më një formalitet në letra apo në faqet online të institucioneve.

Kjo është veçanërisht e domosdoshme sot, kur flitet kaq shumë për forcimin e lidhjes së administratës me qytetarët, për transparencën, komunikimin dhe përgjegjshmërinë institucionale.

Takimet e deputetëve me qytetarët janë të rëndësishme, por ato nuk mund dhe nuk duhet të zëvendësojnë kontaktin e drejtpërdrejtë të qytetarëve me drejtuesit e institucioneve që kanë kompetencën për të zgjidhur problemet e tyre. Në Shqipëri kemi 61 kryetarë bashkish dhe rreth 200 nënkryetarë, 12 prefektë dhe  12 kryetarë të këshillave të qarqeve. Përse të mos ketë secili prej tyre një ditë të përcaktuar dhe një orar të qartë, një herë në javë, për pritjen e qytetarëve? I gjithë ky kontigjent zyrtarësh me përgjegjësi drejtuese nuk është pak në Shqipërinë tonë të vogel !

Dita e pritjes së qytetarëve  duhet të jetë pjesë e rregulloreve të tyre të brendshme dhe jo një zgjedhje sipas dëshirës.

Në rregulloret e funksionimit të këtyre institucioneve duhet të përcaktohet qartë: dita dhe orari i pritjes së qytetarëve, zyrtari përgjegjës për pritjen; mënyra e regjistrimit dhe trajtimit të shqetësimeve;

detyrimi për të dhënë përgjigje;

dhe, mbi të gjitha, përgjegjësia administrative kur ky detyrim nuk përmbushet.

Kjo praktikë nuk duhet të kufizohet vetëm te drejtuesit vendorë.

Ka disa institucione të tjera që prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve ndaj drejtuesit e tyre duhet të jenë në kontakt të rregull me qytetarët.

Për shembull: drejtori i Kadastrës, drejtori i Policisë së qarkut, drejtori i ujësjellësit, drejtori i KESH-it, drejtori i planifikimit dhe zhvillimit të territorit, drejtori i spitalit rajonal, drejtori i IKMT-së dhe drejtues të institucioneve të tjera të rëndësishme duhet të kenë një ditë dhe një orar të përcaktuar çdo javë për të pritur qytetarët.

Nuk mjafton që në një faqe interneti të shkruhet se “ka pritje të popullit”, duhet saktësuar titullari që pret, që dëgjon dhe mban përgjegjësi.

Qytetari nuk ka nevojë për dyer të mbyllura, sportele që e sorollatin dhe adresa elektronike ku përgjigjja vonohet pafund, por ka nevojë për komunikim të drejtpërdrejtë, përgjegjësi dhe zgjidhje. Është koha që kjo traditë të rikthehet me seriozitet dhe, mbi të gjitha, të institucionalizohet. Pritja e qytetarëve nuk është privilegj që administrata u bën atyre, por  detyrim i administratës ndaj qytetarëve.

Drejtuesit e institucioneve publike nuk duhet të harrojnë se përpara se të jenë zyrtarë, janë mbajtës të një përgjegjësie publike, dhe kjo përgjegjësi fillon pikërisht me dëgjimin e qytetarit.

Asnjë detyrë tjetër administrative nuk duhet të përdoret si justifikim për të mbyllur derën e institucionit përballë qytetarit.

Qytetari duhet të ketë një ditë, një orë dhe një derë të hapur çdo javë, oa përjashtim.

Nuk duhet harruar se një administratë që nuk dëgjon qytetarët, herët a vonë, humbet kontaktin me realitetin, ndaj

dera e institucionit duhet të jetë e hapur për qytetarin, jo vetëm në tabelë, por në të vërtetë! Nuk janë qytetarët në shërbim të administratës, por administrata në shërbim të qytetarëve .

Lini një Përgjigje