E hënë, 14 Shtator 2026 Trashëgimtari Halef deri në 03:15 Në vijim ora 03:15: Lajmet e Fundit Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

Situata me zjarret, 4 vatra aktive! Flakët përfshijnë Dajtin, Bulqizën dhe Matin, angazhohen 183 forca dhe 2 helikopterë

Ilustrim · Vizion Plus

20 vatra zjarri janë raportuar në territorin e Shqipërisë deri në orën 20:00 të ditës së sotme, ndërsa 4 prej tyre vijojnë të jenë aktive.

Për përballimin e situatës janë angazhuar 183 forca operacionale dhe 21 automjete zjarrfikëse, së bashku me 80 forca ushtarake dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore.

Vatrat kryesore aktive janë në Dajt–Qafë Priskë, ku situata vijon të jetë problematike, por pa rrezik për zonat e banuara; në Vajkal të Bulqizës, ku zjarri ka përshkuar mbi 13 hektarë dhe po punohet me një angazhim të konsiderueshëm forcash; në Lundre të Matit, ku janë përshkuar dhe djegur rreth 90–100 hektarë pyll dhe operacioni është mbështetur edhe nga një helikopter i Forcës Ajrore; si dhe në Mallunxë të Matit, ku vijon puna për shuarjen e zjarrit në zonën pyjore.

Ndërkohë, vatrat në Qafën e Lugut–Vithkuq dhe në malin e Qukësit janë nën mbikëqyrje.

Në Iballë të Fushë-Arrëzit, për shkak të terrenit shumë të thyer dhe të paaksesueshëm, është angazhuar edhe një helikopter i Forcës Ajrore, ndërsa situata vijon të mbahet nën mbikëqyrje.

Zjarret në Podgorc, Psar dhe Therepel të Skraparit janë shuar plotësisht. Në Therepel, zjarri kishte rrezikuar edhe tubacionin e gazsjellësit TAP.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e pandërprerë të situatës në të gjithë territorin e vendit, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Redaksia Web
Gazetar/e · Vizion Plus · Redaksia e Vizion Plus.
Të gjithë artikujt

Vazhdo të lexosh