Shmangia e tatimit të dyfishtë, qeveria miraton marrëveshjet fiskale me Gjermaninë dhe Letoninë

2 Shtator 2026 | 18:26

Këshilli i Ministrave miratoi një sërë projektligjesh dhe vendimesh gjatë mbledhjes së radhës, që lidhen me marrëveshjet fiskale me Gjermaninë dhe Lituaninë, administrimin e objekteve të konfiskuara, mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin e ekonomisë malore, rindërtimin dhe kriteret për dhënien e medaljes së Shërbimit të Rendit Publik.

Një prej projektligjeve të miratuara lidhet me ratifikimin e protokollit për ndryshimin e marrëveshjes së 6 prillit 2010, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë, për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe evazionit fiskal në lidhje me taksat mbi të ardhurat dhe kapitalin, ratifikuar me ligjin nr. 10 287, datë 10.6.2010.

Gjithashtu, qeveria miratoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Lituanisë, për eliminimin e tatimit të dyfishtë në lidhje me tatimet mbi të ardhurat dhe mbi kapitalin dhe parandalimin dhe shmangien e evazionit tatimor, si dhe të protokollit të saj”.

Në mbledhje u miratua edhe projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 66/2023”, “Për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje, me qëllim përdorimin e tyre për interes publik apo strehim social, si dhe zbutjen e pasojave sociale të shkaktuara”.

Në fushën e mjedisit, Këshilli i Ministrave miratoi listën e veprimtarive që konsiderohen si të rrezikshme për mjedisin.

Po ashtu, u miratua vendimi “Për miratimin e kritereve në bazë të të cilave bëhet vlerësimi i kërcënimit të mundshëm dhe përcaktimi i dëmit në mjedis”.

Një tjetër vendim parashikon disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr. 716, datë 26.11.2025, të Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e disa zonave me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore në Bashkinë Shijak”.

Këshilli i Ministrave miratoi gjithashtu disa ndryshime në vendimin nr. 181, datë 30.3.2022, “Për përdorimin e fondit të rindërtimit për financimin e riforcimit të njësive individuale të banimit dhe njësive të banimit në ndërtesa (pallat) në bashkitë Tiranë, Durrës, Shijak, Lezhë dhe Krujë”, të ndryshuar.

Në fund, qeveria miratoi vendimin “Për përcaktimin e kritereve për dhënien e medaljes së Shërbimit të Rendit Publik”.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Berisha në SHBA: Ata që firmosën ndalimin tim, sot janë non-grata në vendin e tyre, mirënjohje Trump dhe Rubio

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot një takim me diasporën shqiptare në New Jersey të SHBA-së. Gjatë fjalimit, Berisha u ndal te rikthimi...
18:26 | 06/09/2026

Incidenti mes biznesmenve në Vlorë, gjykata cakton masat e sigurisë për 5 të arrestuarit

Janë dhënë masat e sigurisë për pesë personat e arrestuar në lidhje me ngjarjen e ndodhur në një hotel në Radhimë. Për Angjelo Breshanin është...
15:28 | 06/09/2026

Policia e Tiranës shton kontrollet ndaj makinave luksoze, verifikohet burimi i pasurisë

Policia e Tiranës ka intensifikuar kontrollet ndaj automjeteve luksoze në kryeqytet, me fokus të veçantë te origjina, pronësia dhe burimi i të ardhurave me të cilat...
13:19 | 06/09/2026