Raportimet e fundit nga mediat britaneze kanë bërë të ditur se kompania mbrapa formatit, FremantleMedia Limited, besohet se tashmë po qëndron mbrapa Simon Cowell për ta ringjallur formatin i cili zbuloi talent të rinj që vazhduan të bëhen ndër emrat më të njohur në muzikë. Bëhet fjalë për emisionin televiziv “The X Factor”.
Një burim tha për The Sun se rikrijimi i “The X Factor” pritet të sjellë një format televiziv tërësisht të veçantë, një program ku rrjetet sociale janë të integruara thellë në të dhe që është sa më atraktiv për gjeneratën Z.
“Është një mënyrë për të tërhequr audiencën e re, e cila dikur përbënte pjesën kryesore të audiencës së spektaklit të talenteve. Njerëzit që e kanë ndjekur “The X Factor” që nga fillimi tani janë në të dyzetat dhe të pesëdhjetat dhe kanë më shumë gjasa ta ndjekin përmes mënyrave tradicionale – ose duke e parë të shtunën në mbrëmje, ose më vonë përmes shërbimit të transmetimit të vonuar ITVX”, kishte thënë burimi.
Formati i cili u transmetua për herë të fundit në vitin 2018, solli në skenën muzikore emra të rinj që më vonë u bën yje. Ndër ta hyn the grupi i djemve që theu çdo rekord të një grupi muzikor, One Direction.
Për shikuesit kosovar, formati sjell nostalgjinë e kohës kur këngëtarja me prejardhje nga Kosova, Rita Ora, ishte pjesë e jurisë së edicionit të vitit 2015, ku kandidatja nën mentorimin e saj, Louisa Johnson, e fitoi të tërë edicionin.
Se kush do të jenë panelistët në juri, kur do të fillojnë audicionet e reja, dhe transmetimi, mbetet të shihet me kohë.