Lirimi i Maxhunit, flet Koci, ka një kërkesë për institucionet
Është liruar Dukagjin Maxhuni, i cili ishte arrestuar nga autoritetet serbe më 12 gusht në pikën kufitare në Batrovc, teksa po kalonte nga Serbia drejt Kroacisë.
Lidhur me këtë për Indeksonline ka folur avokati i tij, Arianit Koci. Koci thotë se këtë vendim e priste pasi që autoritetet serbe nuk ishin mbështetur në prova.
“Po. Që nga fillimi kam thënë se Dukagjini duhet të lirohet, sepse pretendimet e autoriteteve serbe nuk ishin mbështetur me prova. Atij i ishin caktuar 30 ditë paraburgim. Pas përfundimit të kësaj mase, gjykata vendosi ta lirojë’’, u shpreh Koci për Indeksonline.
Koci për Indeksonline thotë se komunikimi me klientin e tij ishte i vështirë pasi që ka hasur në probleme nga ana e shtetit serb.
“Nuk kam pasur ende kontakt të drejtpërdrejtë me Dukagjinin. Për rastin kam qenë vazhdimisht në kontakt me familjen. Për ta takuar sa ishte në paraburgim, duhej të shkoja në Beograd. Disa herë më kanë ndaluar në Serbi për atë që policia serbe e quan ‘verifikim shtesë’. Tri herët e fundit më kanë ndaluar edhe kur kam udhëtuar me veturën zyrtare të shefit të Zyrës së Kosovës në Beograd dhe në praninë e tij. Kur më ndalin, ma marrin pasaportën dhe më lënë me pritë. Nuk më tregojnë çka po verifikojnë, sa do të zgjasë dhe çka do të ndodhë me mua. Zyra e Kosovës në Beograd ka kërkuar disa herë që të më mundësohet udhëtimi pa pengesa. Autoritetet serbe nuk kanë kthyer përgjigje’’, thotë Koci.
Më tutje Koci thotë se për këtë kishte kërkuar ndihëmë edhe vetë institucionet e shtetit
“Për këtë problem i jam drejtuar kryeministrit, presidentes dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës. Ua kam paraqitur një plan konkret se si të tejkalohen pengesat e mia si avokat dhe si të organizohet mbrojtja e qytetarëve tanë që arrestohen në Serbi. Po e pres përgjigjen e kryeministrit. Nuk frikësohem. Kam vazhdu me shku dhe do të vazhdoj. Por, nëse më ndalin në kufi, nuk mund të mbërrij te qytetari që ka nevojë për ndihmë’’, thotë Koci për Indeksonlinen.
Koci ka treguar edhe arysen e arrestimit të Maxhunit.
“Arrestimi ishte bazuar në pretendimin se, në qershor të vitit 1999, në Bec të Gjakovës, Dukagjini kishte kryer krime si pjesëtar i UÇK-së. Mirëpo, Dukagjin Maxhuni nuk ka qenë pjesëtar i UÇK-së dhe nuk është në listën e veteranëve. Gjatë luftës, edhe ai ishte dëbuar nga forcat serbe në Shqipëri. Pra, pretendimi i autoriteteve serbe nisej nga një fakt që nuk qëndronte. Gjatë kohës sa ishte në paraburgim, nuk u paraqit asnjë provë që e lidhte Dukagjinin me veprat për të cilat dyshohej. Prandaj, lirimi i tij ishte vendimi i duhur’’, thotë Koci.
Avokati thotë se për Dukagjinin dhe familjen e tij, lirimi është lajm shumë i mire por problemi nuk përfundon këtu.
Arrestimet e qytetarëve tanë në Serbi janë shtuar, ndërsa qeveria vazhdon të reagojë prej rastit në rast. Pas çdo arrestimi, krejt puna nis nga fillimi. Kështu humbet kohë me shumë rëndësi.Për momentin, nuk po bëjmë sa duhet. As unë, as shteti i Kosovës. Unë i kam mundësitë e një avokati. Qeveria i ka institucionet dhe e ka obligim me i mbrojtë qytetarët e vet.Serbia kërkon nga Kosova leje dhe garanci për zyrtarët dhe përfaqësuesit e saj fetarë. Kërkesave tona as nuk u përgjigjet. Ndoshta ka ardhur koha që Kosova të mendojë seriozisht për reciprocitet’’, thotë Koci./Indeksonline/

