Në pritje të aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, “Liria ka Emër” paralajmëron tubim në Hagë

Platforma qytetare “Liria ka Emër” ka bërë të ditur se do të organizojë një tubim paqësor në Hagë, së bashku me mërgatën shqiptare, në prag dhe në ditën e shpalljes së aktgjykimit në çështjen ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ismail Tasholli nga platforma “Liria ka Emër”, gjatë një konference për media, u shpreh se tubimi synon të shprehë mbështetjen dhe solidaritetin me ish-udhëheqësit e UÇK-së, njofton Dukagjini.

Tasholli, mes tjerash, bëri të ditur se për organizimin e tubimit do të dorëzohet kërkesa përkatëse pranë autoriteteve kompetente në Hagë dhe se aktiviteti do të zhvillohet në përputhje me rregullat dhe udhëzimet e tyre.

“Në kuadër të aktiviteteve që platforma “Liria ka Emër” është duke zhvilluar, sot dëshirojmë t’ju informojmë edhe për organizimin e një tubimi paqësor në Hagë, së bashku me mërgatën shqiptare, në prag dhe në ditën e shpalljes së aktgjykimit në çështjen ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky tubim synon të shprehë mbështetjen dhe solidaritetin me ish-udhëheqësit e UÇK-së, si dhe të përcjellë mesazhin e dinjitetit, respektit dhe mbështetjes së shqiptarëve nga Kosova dhe mërgata. Për organizimin e këtij tubimi do të deponohet kërkesa përkatëse pranë autoriteteve kompetente në Hagë dhe ai do të zhvillohet në përputhje të plotë me rregullat dhe udhëzimet e tyre”, u shpreh Tasholli.

Tasholli ka treguar se organizatorët synojnë që tubimi të shndërrohet në një “Natë të Pritjes”.

“Synimi ynë është që këtë ta shndërrojmë në një ‘Natë të Pritjes’, duke qëndruar së bashku, në mënyrë paqësore, dinjitoze dhe të organizuar, deri në momentin e shpalljes së vendimit”, ka deklaruar Tasholli.

Tutje, Tasholli u ka bërë thirrje shqiptarëve në diasporë që, aty ku kanë mundësi, të nisen një ditë më herët dhe t’i bashkohen tubimit në lokacionin që do të caktohet nga autoritetet e Hagës.

“Me këtë rast, u bëjmë thirrje vëllezërve dhe motrave tona në diasporë që, aty ku kanë mundësi, të nisen një ditë më herët dhe t’i bashkohen në mënyrë të organizuar tubimit në lokacionin që do të caktohet nga autoritetet e Hagës”, ka thënë ai.

Sipas Tashollit, përfaqësuesit e mërgatës shqiptare do të jenë pjesë e organizimit dhe do të kujdesen që tubimi të zhvillohet në mënyrë paqësore dhe në përputhje me udhëzimet e autoriteteve.

“Dëshirojmë ta theksojmë qartë: ky do të jetë një tubim paqësor, dinjitoz dhe i organizuar në respekt të plotë të ligjeve dhe autoriteteve të vendit pritës”, ka theksuar Tasholli.

Ai ka shtuar se tubimi nuk do të përmbajë thirrje për dhunë, urrejtje apo diskriminim dhe se do të respektohen të gjitha masat e sigurisë të përcaktuara nga autoritetet kompetente.

 

 

Shija e redaktorit

Një dekadë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, simbolit botëror të...

Dhjetë vjet më parë, Nënë Tereza u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u nderuar për veprën e saj të jashtëzakonshme në shërbim të...

Ali Ahmeti thirrje për Marshin për Liri: Më 12 shtator...

Ish lideri i UÇK-së dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka bërë thirrje për pjesëmarrje në Marshin për Liri, i cili do të mbahet...

FC Prishtina mbështetë “Marshin për Liri” më 12 shtator, në...

Klubi i Futbollit “Prishtina” i është bashkuar përkrahjes së “Marshit për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, në mbështetje...

Të fundit nga rubrika