Një zbulim i rrallë arkeologjik në Al Bahnasa, vendi antik i Oxyrhynchusit në Egjipt, ka nxjerrë në dritë një fragment të “Iliadës” së Homerit, i cili ishte përdorur brenda një mumjeje të periudhës greko-romake.
Zbulimi u realizua nga një ekip spanjollo-egjiptian gjatë një misioni të përbashkët të Universitetit të Barcelonës dhe Institutit të Lindjes së Afërt të Lashtë, rreth 190 kilometra në jug të Kajros.
Fragmenti i papirusi përmban vargje nga libri i dytë i “Iliadës”, i njohur si “Katalogu i Anijeve”, ku Homeri rendit forcat greke që u nisën drejt Trojës.
Papiruse të periudhës antike janë gjetur në numër të madh në Oxyrhynchus, por zbulimi i një fragmenti të tillë brenda një mumjeje konsiderohet veçanërisht i rrallë.
Gjetja u bë në “varrin 65”, një hipogje i dëmtuar dhe i grabitur që në lashtësi. Brenda tij, arkeologët dokumentuan disa mumie me fasha të zbukuruara me motive gjeometrike dhe ngjyra të ruajtura mirë, si dhe sarkofagë druri shumëngjyrësh dhe objekte funerale prej metali, përfshirë fletë të holla ari dhe një pjesë bakri.
Sipas studiuesve, këto objekte pasqyrojnë ndërthurjen e traditave të lashta funerare egjiptiane me ndikimet greke dhe romake.
Ekspertët mendojnë se fragmenti i “Iliadës” është ripërdorur si material për fashat e mumies, një praktikë e njohur në antikitet, dhe nuk është vendosur aty për ndonjë qëllim të veçantë simbolik.
Zbulimi ofron një tjetër dëshmi të mënyrës se si tekstet e letërsisë klasike qarkullonin dhe ripërdoroheshin në jetën e përditshme në Egjiptin e lashtë, ndërsa dëshmon edhe ndikimin e kulturës greke në rajon gjatë periudhës romake.
Për studiuesit, gjetja në Al Bahnasa pasuron njohuritë mbi ndërthurjen e kulturave në botën e lashtë mesdhetare dhe mbi mënyrën se si tekstet e njohura të letërsisë greke u përhapën përtej hapësirës së tyre të origjinës.


