2 persona ranë në kontakt me rrymën dhe humbën jetën, reagon QKUM: Autoambulanca kishte defekt teknik, dy mjete u nisën nga Shkodra

1 Shtator 2026 | 19:42

Pas ngjarjes tragjike të 29 gushtit 2026 në Vaun e Dejës, ku humbën jetën dy persona si pasojë e goditjes nga rryma elektrike, Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore ka dalë me një sqarim zyrtar për mënyrën dhe kohën e ndërhyrjes së shërbimeve të urgjencës.

QKUM ka bërë publike dinamikën e dy rasteve, duke theksuar se bëhej fjalë për dy incidente të ndryshme të ndodhura në momente të ndryshme. Më tej, ata kanë sqaruar situatën sa i përket mbërritjes së ekipeve mjekësore në vendngjarje.

Njoftimi i plotë:

Në lidhje me ngjarjen tragjike të datës 29 gusht 2026 në Vaun e Dejës, Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore (QKUM), në funksion të transparencës dhe informimit të saktë të publikut, sqaron dinamikën e ndërhyrjes së shërbimit të urgjencës mjekësore.

Në këtë ngjarje janë regjistruar dy raste të veçanta, të dyja si pasojë e goditjes nga rryma elektrike, të ndodhura në momente të ndryshme.

Rasti i parë është raportuar si urgjencë për goditje elektrike. Në vendngjarje ndodhej një infermiere e zonës, e cila kishte nisur menjëherë manovrat e reanimimit kardiopulmonar, pa mundur të rikthente qarkullimin spontan.

Sipas të dhënave të regjistruara në sistemin e urgjencës, thirrja është marrë në orën 18:03. Në atë moment, ambulanca e Vaut të Dejës ndodhej jashtë funksionit për shkak të një defekti teknik. Për këtë arsye, drejt vendngjarjes është nisur ambulanca nga Spitali i Shkodrës, e cila ka mbërritur në orën 19:44.

Manovrat e reanimimit janë vijuar edhe gjatë transportit drejt Spitalit të Shkodrës. Pavarësisht përpjekjeve të personelit shëndetësor, nuk u arrit rikthimi i qarkullimit spontan dhe pacienti humbi jetën.

Rasti i dytë i përkiste elektricistit, i cili, disa minuta më vonë, kishte shkuar në vendngjarje për të ndërhyrë në problemin elektrik. Gjatë ndërhyrjes, edhe ai u godit nga rryma elektrike dhe humbi jetën.

Për këtë rast, kërkesa për ndihmë mjekësore është regjistruar në orën 18:53. Në vlerësimin fillestar, personi rezultonte pa shenja jete. Në këtë moment, ambulanca e dytë nga Shkodra është nisur drejt vendngjarjes dhe ka mbërritur në orën 19:54. Rasti është konstatuar dhe referuar si Kod i Zi në vendngjarje.

Goditja elektrike përbën një urgjencë mjekësore me rrezik shumë të lartë për jetën dhe, në rastet e rënda, mund të shkaktojë arrest kardiak dhe vdekje të menjëhershme.

Mbi çdo sqarim institucional, kjo mbetet para së gjithash një ngjarje tragjike, e cila solli humbjen e dy jetëve njerëzore.

Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore shpreh keqardhjen e thellë për këtë humbje dhe u përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjeve dhe të afërmve të dy viktimave. Në këto momente të vështira, QKUM bashkohet me dhimbjen e familjeve për humbjen e njerëzve të tyre të dashur.

QENDRA KOMBËTARE E URGJENCËS MJEKËSORE

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Zjarr pranë banesave në Krastë të Elbasanit, rrezikohen dy shtëpi (VIDEO)

Një vatër zjarri është përhapur pas Kodrës së Krastës në Elbasan, duke rrezikuar nga flakët edhe dy banesa pranë zonës. Situata ka kërkuar ndërhyrjen e...
19:08 | 06/09/2026

Berisha në SHBA: Ata që firmosën ndalimin tim, sot janë non-grata në vendin e tyre, mirënjohje Trump dhe Rubio

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot një takim me diasporën shqiptare në New Jersey të SHBA-së. Gjatë fjalimit, Berisha u ndal te rikthimi...
18:26 | 06/09/2026

Zjarr i madh në Kropisht të Selenicës, flakët rrezikojnë banesat (VIDEO)

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë pasditen e sotme kodrat e fshatit Kropisht, në Bashkinë Selenicë. Flakët kanë përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme me...
18:04 | 06/09/2026