Gjendet e vdekur ish e dashura e Mc Gonigal, prej kohësh denoncoi ish-agjentin e FBI

1 Shtator 2026 | 09:03

Allison Guerriero, ish-partnerja e ish-drejtuesit të kundërzbulimit të FBI-së në New York, Charles McGonigal, është gjetur e pajetë në banesën e saj në Boynton Beach, Florida. Vdekja e saj mbetet ende e pasqaruar, ndërsa autoritetet janë në pritje të rezultateve të autopsisë.

Guerriero kishte qenë në një lidhje rreth 18 muaj me McGonigal dhe prej vitesh kishte bërë publike dyshimet e saj lidhur me aktivitetet e ish-agjentit federal, i cili aktualisht po vuan një dënim prej 6 vitesh e 6 muajsh burg.

Ajo kishte qenë veçanërisht aktive në platformën X në orët para vdekjes. Në dhjetëra postime dhe video, Guerriero sulmoi ashpër FBI-në dhe kërkoi që hetimet të mos kufizoheshin vetëm te McGonigal.

“E urrej FBI-në”, deklaronte ajo në njërën prej videove.

Në një tjetër postim, Guerriero argumentonte se vëmendja publike duhet të përqendrohej edhe te persona të tjerë brenda agjencisë.

“Ju e dini emrin e Charles McGonigal, por më parë nuk e dinit. Ju njihnit Jim Comey-n, njihnit Chris Wray-n… Pse nuk filloni të kërkoni emrat që nuk i njihni?”, shprehej ajo.

Babai i saj, Bill Guerriero, tha se familja ende nuk e di shkakun e vdekjes. Sipas tij, autopsia pritet të japë përgjigje për atë që ka ndodhur.

“Ne vërtet nuk e dimë ende. Po presim raportin e autopsisë. Mund të ketë qenë një aksident, mund të jetë rrëzuar ose mund të ketë ndodhur diçka tjetër”, deklaroi ai.

Policia e Boynton Beach bëri të ditur se efektivët shkuan në apartament rreth orës 20:03 të së enjtes. Nga informacionet paraprake të autoriteteve, në vendngjarje nuk janë konstatuar shenja të dukshme të ndërhyrjes kriminale. Hetimi vijon ndërsa priten përfundimet e mjekësisë ligjore.

Guerriero kishte pretenduar prej kohësh se gjatë marrëdhënies me McGonigal kishte hasur rrethana që i kishin ngjallur dyshime serioze për veprimtarinë e tij.

Një prej pretendimeve të saj lidhej me një shumë prej 80 mijë dollarësh, të cilën ajo tha se e kishte gjetur në apartamentin ku jetonin. Guerriero pretendonte se paratë kishin lidhje me një pagesë të marrë nga McGonigal në vitin 2017 nga një ish-zyrtar shqiptar i inteligjencës.

Ajo kishte treguar se, kur e pyeti McGonigalin për shumën, ai i kishte thënë se paratë i kishte fituar përmes basteve mbi një ndeshje bejsbolli. Guerriero, megjithatë, kishte dyshuar për një tjetër burim të tyre.

Pas përfundimit të lidhjes së tyre në vitin 2018, ajo nisi t’u drejtohej personave brenda FBI-së për të shprehur shqetësimet e saj.

“Më kishte ardhur në mendje: ky njeri është tradhtar. Ai po merrte ryshfete për të ushtruar ndikim”, kishte deklaruar ajo.

Guerriero pretendonte se kishte kontaktuar edhe ish-eprorë të McGonigal dhe zyrtarë të tjerë të FBI-së, por sipas saj, paralajmërimet e saj nuk ishin marrë seriozisht.

Charles McGonigal u arrestua në janar 2023. Ish-zyrtari i lartë i FBI-së u dënua më vonë me 6 vite e 6 muaj burg për çështje që lidhen me marrjen e parave dhe marrëdhëniet e tij me oligarkun rus Oleg Deripaska.

Tashmë, vdekja e Allison Guerriero ka hapur një tjetër pikëpyetje. Autoritetet amerikane nuk kanë përcaktuar ende shkakun e vdekjes dhe, deri në këtë fazë, policia nuk ka raportuar prova që të tregojnë për një akt kriminal.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Netanyahu kërcënon Iranin: Do të marrë një goditje që as nuk e imagjinon

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka paralajmëruar Iranin se do të përballet me një sulm të fuqishëm nëse ndërmerr ndonjë sulm të ri ndaj Izraelit, ndërsa...
20:33 | 06/09/2026

“Shpresa për paqe”, Witkoff pas takimit në Kiev: Pati bisedime shumë të rëndësishme

I dërguari i SHBA-së, Steve Witkoff, i ka cilësuar shumë të rëndësishme bisedimet e zhvilluara në Kiev me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, duke shprehur shpresën...
20:13 | 06/09/2026

Shpërthimi vullkanik bllokon mbi 150 mijë pasagjerë në Indonezi, kërkohet devijimi i fluturimeve

Më shumë se 150 mijë pasagjerë kanë mbetur të bllokuar në Indonezi, pasi një shpërthim vullkanik detyroi autoritetet të pezullojnë përkohësisht operacionet në tetë aeroporte....
18:00 | 06/09/2026