27-vjetori i themelimit të Policisë së Kosovës, Kurti: Kosova është e sigurt si asnjëherë më parë

Në 27-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, krerët e shtetit e kanë cilësuar atë si një organizatë modern, e cila garanton rendin dhe ligjin.

Në ceremoninë e organizuar sot, më 06.09.2026, ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se historia e Policisë së Kosovës është e pandashme nga historia e vendit.

“Çlirimi i vendit nuk ishte fundi i rrugës, por fillimi i ndërtimit të një Policie të fortë të Kosovës që do të mbronte qytetarët dhe do të garantonte sundimin e ligjit. Më 6 shtator 1999, në Vushtrri, 176 kadetë nisën trajnimin për një institucion që do ta vendoste sundimin e ligjit në radhë të parë”- tha ajo.

Sipas Haxhiut, mbi 80 për qind e qytetarëve shprehin besim në Policinë e Kosovës.

Haxhiu tha se bashkë me FSK-në Policia janë institucionet më të besueshme në vend.

“Gjatë këtyre viteve, Policia ka ndërtuar kapacitetet e saj, por mbi të gjitha ka fituar besimin e qytetarëve”- theksoi Haxhiu.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se vendi është më i sigurt se kurrë më parë.

Kurti po ashtu përmendi investimet që u bënë në pjesën veriore.

“Kosova është e sigurt si asnjëherë më parë sepse Policia e Kosovës është më e fortë se kurrë. Themelimi i Policisë përkon me çlirimin e vendin tonë. Policia është angazhuar në shtet ku ngadhënjen rendi dhe ligji. Për gjatë pesë viteve të fundit janë ngritur dhe forcuar mbi 20 stacione dhe baza policore në gjithë veriun, aty ku më parë nuk kishte asnjë stacion policor”- tha Kurti.

Sipas tij, themelimi i Xhandarmërisë do të shërbejë si përforcim shtesë për Policinë e Kosovës.

“Themelimi i Xhandarmërisë do të shërbejë si një përforcim shtesë, me mandat të qartë për sigurinë e vijës ajrore dhe tokësore të vendit” – tha ai.

Kurti potencoi se forcimi i Policisë, veçanërisht në veri të vendit, ka ndihmuar edhe në zbulimin e varrezave masive në Zubin Potok.

Sikurse parafolësja, edhe Kurti i kujtoi policët e rënë në detyrë, i cili i cilësoi si heronj të vendit.

Xhelal Sveçla, ministër në detyrë i Punëve të Brendshme, tha se ndonëse Policia ka kaluar në shumë e sfida, misioni për garantimin e rendit, ligjit dhe shërbimit ndaj qytetarëve ka mbetur i qëndrueshëm.

“Policia e Kosovës ka ndërtuar një histori të pasur institucionale të shoqëruar me sfida e përgjegjësi. I pandryshuar ka mbetur misioni i saj. Vetëm gjatë viteve të fundit, Policia ka dëshmuar se është e gatshme të përballet me kërcënime të natyrave të ndryshme përfshirë ballafaqimin me struktura kriminale e terroriste të mbështetura nga aparati shtetëror i Serbisë”- potencoi Sveçla.

Puna e të gjithë zyrtarëve policorë që punuan ndër vite dhe puna e të gjithë atyre që ranë në krye të detyrës u nderua nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

“Rruga nuk ka qenë e lehtë, ka kaluar në sfida të ndryshme. Policia e Kosovës është shndërruar në një institucion modern e të besueshëm. Në këtë përvjetor dua të ndalemi me respekt tek zyrtarët që i kanë shërbyer më parë Policisë së Kosovës. Ata kanë dalë në pension mirëpo kontributi i tyre ka mbetur. Në veçanti kujtojmë zyrtarët që dhanë jetën në krye të detyrës”- tha Hoxha.

E për ata që sot i shërbejnë Policisë së Kosovës, Hoxha ka një mesazh.

“Të dashur kolegë qofshi gjithmonë të sigurt në krye të detyrës”- tha ai.