Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen “Ali Demi” në Tiranë, ku 32-vjeçari Amarild Xhamaqi qëlloi me armë zjarri nga automjeti i tij.
Bëhet me dije se shkak i të shtënave me armë zjarri disa herë në një zonë të populluar dyshohet të ketë qenë humbja e një skedine, në të cilën i riu kishte vënë një shumë të konsiderueshme parash.
Pas të shtënave, banorët e zonës janë alarmuar dhe kanë njoftuar menjëherë autoritetet për incidentin. Ndërkohë, mediat kanë publikuar foton e të riut, i cili më pas është arrestuar nga policia.
Amarild Xhamaqi është një person i njohur për autoritetet shqiptare, pasi edhe më herët është shoqëruar në polici për shkak të përfshirjes në disa konflikte.
Edhe pse zgjodhi të mos japë deklarime para policisë, Xhamaqi është arrestuar dhe shoqëruar në komisariat. Burime bëjnë me dije se ai rezulton të ketë qenë i proceduar më parë nga policia.

