Prokuroria e Posaçme njofton zyrtarisht se ka nisur hetimet për projektin e transformimit të Zvërnecit, duke ushtruar kontrolle në zyra e Administratës Shtetërore dhe ka sekuestruar dokumentacionin e dhënies së lejes së zhvillimit.
Në fokus të verifikimeve janë procedurat e ndjekura për tjetërsimin e statusit të zonës dhe të truallit ku parashikohet zhvillimi i projektit.
Deri tani, dihet se kompanitë e interesuara kanë marrë leje zhvillimi nga qeveria shqiptare dhe kanë vepruar me rrethimin e pronës, por ende nuk ka një leje zhvillimi dhe një projekt të miratuar, as studim mjedisor.
Burime bëjnë me dije se në kuadër të hetimeve janë kryer kontrolle dhe janë ndërmarrë veprime për sekuestrimin e dokumentacionit që lidhet me procedurat administrative dhe vendimmarrjet përkatëse.
Në përgjigje të interesit të medias lidhur me çështjen, SPAK konfirmoi se hetimet janë në zhvillim, pa dhënë detaje të mëtejshme. “Në përgjigje të pyetjes suaj, çështja është në hetim dhe nuk kemi komente”, bëri me dije zyra e shtypit pranë SPAK.
Hetimet pritet të përqendrohen në ligjshmërinë e procedurave që kanë të bëjnë me ndryshimin e statusit të zonës dhe administrimin e truallit në Zvërnec.

