Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Kreu i shoqatës së Operatorëve Turistikë: Kemi deficit turizmi, Zvërneci s’duhet penguar, s’ka nevojë për revolucion për ta shkatërruar!

Shkruar nga Newsbomb
Kreu i shoqatës së Operatorëve Turistikë: Kemi deficit
Kreu i Shoqatës së Turizmit, Zak Topuzi

Zvërneci është kthyer në kryefjalën e diskutimeve nga qytetarë, ambientalistë, ekspertë, njerëz të fushës, të qeverisë dhe të politikës. Debatet pro dhe kundër zhvillimit të zonës atje duket se janë kthyer celësi I promotorit të debateve që duhet të bëheshin pa arritur puna te protestat.

Sot është paralajmëruar protesta e tretë kundër projektit, ndërkohë zërave pro e kundër I është shtuar ai I kreut të shoqatës së Operatorëve Turistikë, Zak Topuzi. Ai sugjeron që palët duhet të ulen të diskutojnë me transparencë, ndërkohë që projekti duhet të bëhet i mbikqyrur, për të ruajtur florën e faunën dhe terrenin.

“Shqipëria ka një deficit të dukshëm në segmentin e turizmit me vlerë të lartë. Vetëm një pjesë shumë e vogël e kapaciteteve tona akomoduese, reth 1% janë hotele dhe resorte të standardeve më të larta, ndërkohë që vende si Mali i Zi dhe Kroacia kanë 7-10%. Ata kanë investuar prej vitesh në këtë segment. Kjo u ka mundësuar të tërheqin turistë me shpenzim të lartë dhe të zgjasin sezonin turistik”, shkruan Zak Topuzi.

Komenti i plotë: Problemi i Zvërnecit nuk duhet të trajtohet si Revolucioni Anglez , ku punëtorët shkatërronin makineritë nga frika e ndryshimit. Për këto zona, debati i vërtetë nuk është “ndërtim apo jo ndërtim”, por “çfarë lloj zhvillimi duam”. Deri më sot ka munguar transparenca dhe kjo ka ushqyer mosbesimin e publikut. Shqipëria ka një deficit të dukshëm në segmentin e turizmit me vlerë të lartë. Vetëm një pjesë shumë e vogël e kapaciteteve tona akomoduese, rreth 1% janë hotele dhe resorte të standardeve më të larta, ndërkohë që vende si Mali i Zi dhe Kroacia kanë 7-10%. Ata kanë investuar prej vitesh në këtë segment.

Kjo u ka mundësuar të tërheqin turistë me shpenzim të lartë dhe të zgjasin sezonin turistik. Nga ana tjetër, shqetësimi i shoqërisë civile nuk është pa bazë. Përvoja e viteve të fundit ka krijuar perceptimin se shumë projekte të etiketuara si “turistike” kanë përfunduar kryesisht si zhvillime imobiliare me shitje apartamentesh dhe vilash, ndërsa funksioni turistik ka mbetur dytësor. Kjo është arsyeja pse çdo projekt i ri pritet me dyshim. Prandaj, transparenca është çelësi. Nëse në Zvërnec propozohet një destinacion që garanton funksion turistik afatgjatë, menaxhim profesional, vende pune, shërbime cilësore dhe aktivitet gjatë gjithë vitit, atëherë zhvillimi është i arsyeshëm.

Nëse synimi kryesor është shitja e pasurive të paluajtshme, atëherë kritikat janë plotësisht legjitime. Në fund, Zvërneci nuk duhet të mbetet një zonë e paprekshme vetëm nga frika e zhvillimit, por as të kthehet në një kantier të pakontrolluar ndërtimi. Sfida është të gjejmë ekuilibrin mes mbrojtjes së natyrës dhe krijimit të produkteve turistike cilësore. Mbi të gjitha, Shqipëria ende nuk është mjaftueshëm e dukshme në hartën turistike të Europës. Për të konkurruar me sukses, nuk na duhet vetëm më shumë kapacitet akomodues, por një BRAND i qartë kombëtar, destinacione të mirëmenaxhuara dhe produkte turistike që krijojnë identitet.

Shqipëria ka nevojë për më shumë turizëm të vërtetë dhe më pak beton. Debati duhet të jetë profesional dhe i bazuar në fakte, jo populist, ku çdo zhvillim quhet tradhti dhe çdo kritikë quhet pengesë. Vetëm kështu mund të ndërtojmë një turizëm që i shërben ekonomisë, komunitetit dhe brezave që do të vijnë.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese