Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar zemërthyer për ndarjen nga jeta të babait të tij.
Ish-presidenti i Shqipërisë përmes një postimi të bërë në Facebook-un e tij shkruan se ceremonia mortore do të zhvillohet ditën e nesërme më 2 qershor, në ora 12:00, në vendlindjen e tij në Çepan të Skraparit.
Lajmi për ndarjen nga jeta të Rexhep Metës u mësua mesditën e sotme i cili u konfirmua dhe nga ish-bashkëshortja e Ilir Metës, Monika Kryemadhi, teksa po hynte në SPAK, në kuadër të respektimit të masës së sigurisë.
Siç raportoi dhe newsbomb.al Ilir Meta ka kërkuar leje për të marrë pjesë në ceremoninë mortore. Kërkesa është pranuar nga SPAK por pritet miratimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, që ish-presidenti të marrë pjesë në lamtumirën e babait të tij.
Në lidhje me ngjarjen ka reaguar dhe avokati Kujtim Cakrani, i cili tregoi se Ilir Meta është thyer menjëherë dhe sytë i janë mbushur me lot, por sërish ai e ka mbajtur veten, duke treguar një dinjitet dhe forcë të jashtëzakonshme në kushtet ku ndodhet.
"Presidenti mbushi sytë me lot por e mbajti veten. Nuk do doja të isha prezentë në atë moment, por jeta dhe fati e solli që të isha prezent. Më la një shije shumë të hidhur që s'kam për ta harruar kurrë këtë moment", thotë avokati.
Reagimi i plotë i Ilir Metës:
Të dashur të afërm, miq dhe dashamirës,
Me dhimbje të thellë po ndaj me ju lajmin e trishtë, për mua dhe gjithë familjen tonë, të ndarjes nga jeta të babait tonë të mrekullueshëm, Rexhep Meta.
Në respekt edhe të amanetit të tij, ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit do të zhvillohet, nesër, më 2 qershor, në ora 12:00, në vendlindjen e tij në Çepan të Skraparit.
Ndërkohë për të gjithë miqtë dhe dashamirësit, familja do të bëjë pritjet e ngushëllimeve në datën 3 qershor në Tiranë, vendin dhe orën e saktë, do t'ju a komunikojmë në vijim.


