Qindra qytetarë janë rikthyer këtë të hënë në Bulevard, ashtu siç kishin paralajmëruar, për të protestuar kundër ngjarjes së regjistruar të shtunën në Zvernec, ku punonjës të sigurisë private u përfshinë në përplasje me protestuesit që kundërshtonin ndërtimin e resortit në këtë zonë.
Protestuesit janë grumbulluar fillimisht përpara Ministrisë së Brendshme, nga ku kanë marshuar më pas drejt Kryeministrisë.
Ky është tubimi i dytë radhazi, pas thirrjeve të shpërndara në rrjetet sociale. Një ditë më parë, qindra qytetarë marshuan nga Drejtoria e Policisë drejt Ministrisë së Brendshme, për të përfunduar më pas para Kryeministrisë.
View this post on Instagram
Ndërkohë, paralelisht me protestën që po zhvillohet në Tiranë, kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me debatin për projektin në Zvernec. Ai deklaroi se “Shqipëria është e shqiptarëve” dhe se shteti, nën drejtimin e Partisë Socialiste, mbetet një nga forcat që ka punuar më shumë për mbrojtjen e mjedisit dhe të zonave të mbrojtura.
Rama theksoi se qeveria vijon t’i qëndrojë projektit, ndërsa argumentoi se një pjesë e reagimeve publike janë ndikuar nga dezinformimi dhe manipulimi i qytetarëve nga persona me qëllime të këqija.
“Ka një protestë në Tiranë? Për çfarë protestohet? Protestohet për të mbrojtur natyrën, por kush e ka kërcënuar natyrën? Protestohet për të mos lejuar shkatërrimin e biodiversitetit, por kush e ka vënë në rrezik? Protestohet sepse është hequr nga zona e mbrojtur Zvërneci, por kush e ka hequr? Dhe kur ka qenë zonë e mbrojtur dhe çfarë zone e mbrojtur ka qenë? Zvërneci ka qenë zonë e mbrojtur e kategorisë së pestë dhe kështu është edhe sot dhe kështu do të jetë edhe nesër", deklaroi Rama.

