Rexhep Meta, babai i ish-presidentit të Republikës, Ilir Meta, u nda nga jeta këtë të hënë në moshën 83-vjeçare. Lajmi është konfirmuar nga ish-bashkëshortja e Metës, Monika Kryemadhi, e cila reagoi publikisht në rrjetet sociale me një mesazh prekës.
“Kur ikjet janë me brengë shpirtërore, dhimbja është më e madhe. RIP Rexhep Metaj”, shkroi Kryemadhi, duke shprehur hidhërimin e saj për humbjen e babait të ish-presidentit.
Ceremonia mortore pritet të zhvillohet në qytetin e lindjes së Rexhep Metës, në Skrapar, ndërsa mediat raportojnë se Ilir Meta ka kërkuar leje për të marrë pjesë në lamtumirën e të atit. Kjo kërkesë është pranuar nga SPAK dhe pritet miratimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Kujtojmë se ish-presidenti Ilir Meta ndodhet në qeli që prej 21 tetorit 2024, pas arrestimit nga agjentët e BKH-së me urdhër të GJKKO-së, në kuadër të hetimeve të SPAK.
