KRU “Prishtina” investon mbi 700 mijë euro në ndërtimin dhe rehabilitimin e rrjetit të ujit
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” SH.A. ka bërë të ditur dhënien e tri kontratave për ndërrimin, rehabilitimin dhe ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit, me vlerë të përgjithshme prej 732 mijë e 373.31 euro.
Kontratat lidhen me aktivitetin e prokurimit për Ndërrimin dhe ndërtimin e rrjetit të ujit për përmirësimin e furnizimit dhe zvogëlimin e humbjeve në zonën e shërbimit të KRU Prishtina SH.A., shkruan IndeksOnline.
Pjesa e parë, me vlerë 178,215.25 euro, i është dhënë grupit të operatorëve ekonomikë “Hidro Mentori SH.P.K.” dhe “GJIKURIA SH.P.K”. Dega në Kosovë. Punët përfshijnë rehabilitimin dhe ndërrimin e rrjetit shpërndarës të ujësjellësit në rrugët Vasko Poj, Kongresi i Manastirit, Llapi, Durrësi dhe Ramaj, në Prishtinë dhe Obiliq.
Kontrata e tretë, në vlerë prej 317,064.06 euro, i është dhënë grupit “HIDRO PROJECT SH.P.K”. dhe “Horizon Project SH.P.K”. Ajo ka të bëjë me ndërtimin e gypit transportues nga rezervuari Mirdita-3 deri te rruga Ndue Përlleshi në Prishtinë.
Ndërkaq, kontrata e katërt, me vlerë 237,094 euro, i është dhënë kompanisë “DIAMANTI SH.P.K.” dhe përfshin ndërtimin e stacionit pompues, gypit transportues dhe rezervuarit në Milec, për furnizimin me ujë të fshatrave Bernicë, Bardhosh dhe Milec.
Të tri kontratat janë dhënë më 2 shtator 2026, ndërsa nënshkrimi i tyre është planifikuar për 8 shtator 2026. Në procedurë kanë marrë pjesë gjithsej tetë operatorë ekonomikë.
KRU “Prishtina” ka bërë të ditur se pjesët 2 dhe 5 të këtij aktiviteti të prokurimit vazhdojnë të jenë të pezulluara në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), për shkak të ankesave, ndërsa për pjesët 1, 3 dhe 4 ka vendosur të vazhdojë me dhënien e kontratave.
Sipas njoftimit, autoriteti kontraktues ka paralajmëruar se do të respektojë çdo vendim të OSHP-së dhe, nëse një vendim i tillë prek edhe pjesët tashmë të dhëna, mund të pezullojë, anulojë ose, sipas nevojës, të shkëpusë kontratat./IndeksOnline/

