IKD kërkon ndryshimin e Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative: Hapja e mbledhjeve të jetë rregull, mbyllja përjashtim
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka rekomanduar ndryshimin e Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative, në mënyrë që hapja e mbledhjeve të organeve kolegjiale të jetë rregull, ndërsa mbyllja e tyre të jetë përjashtim.
Në konferencën për medie ku u prezantua raporti raporti “Llogaridhënia dhe transparenca e organeve kolegjiale, peng i LPPA-së”, Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD, tha se raporti nuk thotë se çdo mbledhje e organeve kolegjiale duhet të jetë e hapur dhe se çdo informacion duhet të bëhet publik.
“Ka raste kur mbyllja është plotësisht e arsyeshme: kur trajtohen të dhëna personale, informata të klasifikuara, hetime, çështje të sigurisë, sekrete afariste apo interesa të tjera që ligji duhet t’i mbrojë”, tha Shala.
Megjithatë, sipas tij, logjika duhet të jetë e kundërt nga ajo që ekziston aktualisht.
“Hapja duhet të jetë rregull. Mbyllja duhet të jetë përjashtim”, tha Shala.
Hulumtuesi theksoi se kur një mbledhje mbyllet, institucioni duhet të tregojë arsyet pse po mbyllet, çfarë interesi po mbron dhe pse mbyllja është e domosdoshme.
“Nëse vetëm një pikë e rendit të ditës kërkon konfidencialitet, duhet të mbyllet vetëm ajo pjesë dhe jo e gjithë mbledhja”, tha Shala.
Sipas tij, edhe standardet ndërkombëtare shkojnë në këtë drejtim, pasi nuk kërkojnë që çdo mbledhje e çdo institucioni të jetë publike pa përjashtim, por që proceset vendimmarrëse të jenë sa më të hapura dhe kufizimi i qasjes të jetë i arsyetuar, proporcional dhe i lidhur me një interes konkret që duhet mbrojtur.
“Këshilli i Evropës, standardet e Kombeve të Bashkuara dhe parimet për qeverisje të hapur theksojnë se publiku duhet të ketë mundësi jo vetëm të njihet me vendimin final, por edhe, sa herë që është e mundur, ta kuptojë procesin që ka çuar deri te ai vendim. Pra, standardi nuk është “çdo gjë publike”, por “hapja si parim dhe mbyllja vetëm kur ka arsye të ligjshme. Për këtë arsye, IKD rekomandon ndryshimin e Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative. Qeveria duhet ta iniciojë ndryshimin, ndërsa Kuvendi duhet ta miratojë atë”, tha ai, shkruan betimi për drejtësi.
Në fund, Shala tha se mesazhi i këtij raporti është se qytetarët nuk duhet të kenë të drejtë vetëm ta shohin vendimin pasi gjithçka ka përfunduar, por edhe ta shohin procesin e vendimmarrjes kur nuk ekziston arsye e ligjshme për mbyllje.
“Transparenca nuk është vetëm publikimi i rezultatit. Transparenca është edhe mundësia për ta parë procesin”, deklaroi Shala.
IKD rekomandon ndryshimin e LPPA-së në dy drejtime: së pari, mbledhjet e organeve kolegjiale duhet të jenë të hapura për publikun; së dyti, Ligji duhet t’i përcaktojë rastet kur një mbledhje ose pjesë e saj mund të mbyllet, pas vlerësimit të dëmit dhe interesit publik dhe me vendim të arsyetuar.

