75 Mall Live Search
22:28 / E Mërkurë, 02 Shtator 2026 / MSH1

AKK-ja, për fillimin e vitit shkollor: Shkollave u mungon dokumentacioni, nxënësit kanë nisur mësimin pa tekste

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka ngritur shqetësime lidhur me mënyrën e fillimit të vitit të ri shkollor.

Kreu i AKK-së, Sazan Ibrahimi, pohoi për IndeksOnline se Asociacioni ka pranuar informacione se viti i ri shkollor ka nisur me probleme të shumta në komuna.

“Shkollave u mungon dokumentacioni i nevojshëm shkollor dhe kurrikular, ndërsa një numër i madh i nxënësve e kanë filluar mësimin pa tekstet shkollore.

Po ashtu, sipas raportimeve të prindërve, ka raste kur mjetet për blerjen e teksteve ende nuk janë transferuar. Këto janë çështje që Ministria e Arsimit është dashur t’i përfundojë para fillimit të vitit shkollor, jo pasi mësimi ka filluar” ka deklaruar Ibrahimi.

Ai po ashtu thotë se është tejet e nevojshme që të mos barten në nivele vonesat e administrimit qendror.

“AKK kërkon nga Ministria që urgjentisht të përmbushë obligimet e saj dhe të mos ua bartë komunave, shkollave, mësimdhënësve dhe prindërve pasojat e vonesave të nivelit qendror.

Nxënësit duhet t’i kenë librat dhe shkollat dokumentacionin që në ditën e parë. Arsimi nuk improvizohet!” përfundoi Ibrahimi.