Turqia paralajmëron se plani grek për bazë dronësh në Rodos “dëmton paqen” në Egje

28 Gusht 2026 | 12:14

Turqia ka lëshuar një paralajmërim të ri lidhur me planet e Greqisë për të ngritur infrastrukturë të përhershme për dronë ushtarakë në ishullin e Rodosit, me pretendimin se një veprim i tillë shkel statusin e ishullit të çmilitarizuar dhe do të ndikonte negativisht në paqen dhe stabilitetin në Egje, si dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

Greqia po ecën përpara me planet për të krijuar një objekt të përhershëm mbështetës për mjetet ajrore pa pilot (UAV) V-BAT në aeroportin Maritsa në Rodos. Kjo infrastrukturë synon të mbështesë dislokimin, mirëmbajtjen dhe operimin e përhershëm të dronëve, duke e bërë Rodosin ishullin e dytë grek që do të presë një bazë të përhershme ushtarake dronësh, pas Skirosit.

Dronët V-BAT janë projektuar për misione vëzhgimi dhe zbulimi dhe mund të ngrihen dhe të ulen vertikalisht, duke u lejuar të operojnë pa pasur nevojë për një pistë tradicionale. Autoritetet greke i kanë përdorur këto sisteme nga pozicione të përkohshme në Rodos, por infrastruktura e planifikuar do të mundësonte një kapacitet operativ më të përhershëm dhe më të organizuar.

Ministria turke e Mbrojtjes tha se “çdo përpjekje për të shkelur këtë regjim është e papajtueshme me detyrimet e Greqisë sipas së drejtës ndërkombëtare”. Ajo gjithashtu deklaroi se Turqia “do të vazhdojë të mbrojë me vendosmëri të drejtat dhe interesat e saj, që rrjedhin nga traktatet ndërkombëtare”.

Në të njëjtën kohë, Ministria turke e Mbrojtjes mirëpriti vendimin e qeverisë greke për të zhvendosur sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot nga Karpathos në Kretë, duke e cilësuar këtë si një hap pozitiv drejt “kthimit pas të militarizimit të ishullit, në shkelje të traktateve ndërkombëtare”.

“Si Turqi, ne do të vazhdojmë të mbështesim të gjitha hapat konstruktivë që kontribuojnë në forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë dhe që janë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe detyrimet e përcaktuara nga traktatet”, përfundon deklarata.

Athina, ndërkohë, këmbëngul se forcimi i infrastrukturës së saj mbrojtëse është pjesë e të drejtës së saj për të mbrojtur territorin grek. Zyrtarët grekë kanë theksuar se Greqia synon të ndjekë dialogun dhe marrëdhëniet e mira me Turqinë, ndërsa njëkohësisht vazhdon të ushtrojë atë që ajo i konsideron të drejta të saj sipas së drejtës ndërkombëtare.

Për rrjedhojë, objekti i planifikuar për dronët në Rodos shton një tjetër pikë tensioni në marrëdhëniet tashmë të ndjeshme greko-turke. Ndërsa Ankaraja e paraqet këtë lëvizje si destabilizuese, Athina e konsideron atë një masë modernizimi mbrojtës, që synon forcimin e aftësive të vëzhgimit dhe të operimit në një pjesë strategjikisht të rëndësishme të Egjeut.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Netanyahu kërcënon Iranin: Do të marrë një goditje që as nuk e imagjinon

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka paralajmëruar Iranin se do të përballet me një sulm të fuqishëm nëse ndërmerr ndonjë sulm të ri ndaj Izraelit, ndërsa...
20:33 | 06/09/2026

“Shpresa për paqe”, Witkoff pas takimit në Kiev: Pati bisedime shumë të rëndësishme

I dërguari i SHBA-së, Steve Witkoff, i ka cilësuar shumë të rëndësishme bisedimet e zhvilluara në Kiev me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, duke shprehur shpresën...
20:13 | 06/09/2026

Shpërthimi vullkanik bllokon mbi 150 mijë pasagjerë në Indonezi, kërkohet devijimi i fluturimeve

Më shumë se 150 mijë pasagjerë kanë mbetur të bllokuar në Indonezi, pasi një shpërthim vullkanik detyroi autoritetet të pezullojnë përkohësisht operacionet në tetë aeroporte....
18:00 | 06/09/2026