Hoxha: Shqipëria nuk është dhe nuk mund të jetë pjesë e asnjë skenari destabilizues në Malin e Zi

Dëgjoni lajmin
0:00 / 0:00
28 Gusht 2026 | 15:30

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar pas raportimeve të mediave malazeze se Serbia dhe Shqipëria janë dy vendet të cilave kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç, iu referua kur paralajmëroi për përpjekje të mundshme për destabilizimin e vendit përmes veprimtarive hibride.

Hoxha shkruan se deklarata e kryeministrit malazez dhe interpretimet mediatike që pasuan duhet të trajtohen me rezervën e nevojshme, duke theksuar se ndaj Shqipërisë nuk ka asnjë akuzë të formuluar zyrtarisht.

“Edhe pse nuk ka asnjë akuzë të formuluar zyrtarisht ndaj Shqipërisë, dua të theksoj fort dhe qartë se Shqipëria as nuk është dhe as nuk mund të jetë pjesë e ndonjë skenari destabilizues, as në Malin e Zi, një vend fqinj, mik, partner dhe aleat në NATO, me të cilin ndajmë të njëjtin projekt të anëtarësimit në BE, dhe as askund tjetër”, u shpreh ministri Hoxha.

Ai theksoi se Shqipëria, sipas tij, “bën pikërisht të kundërtën”, duke investuar në bashkëpunimin, mirëkuptimin, stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit, si dhe në bashkëpunimin më të gjerë evropian dhe euroatlantik.

Hoxha tha gjithashtu se interpretimet mediatike dhe debatet e brendshme politike në një vend fqinj nuk duhet të krijojnë artificialisht probleme mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.

“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm, në të gjitha nivelet, dhe këtë kam bërë edhe në këtë rast, në komunikimet që kam pasur me ZvKM dhe MPJ, Ibrahimoviç, si dhe me ZvKM, Nik Gjeloshaj”, deklaroi ai.

Ministri i Jashtëm iu drejtua edhe aktorëve politikë në Shqipëri, duke theksuar se ata mund të marrin nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme çdo informacion të nevojshëm për të shmangur debate të panevojshme.

“Politika e jashtme kërkon gjithnjë qetësi, maturi dhe përgjegjësi”, përfundoi Hoxha.

Media malazeze “Vijesti”, duke iu referuar disa burimeve të saj, raportoi se bëhet fjalë për zyrtarë nga të paktën dy vende të rajonit, ndërsa Spajiç deklaroi se autoritetet malazeze disponojnë informacione serioze operative të sigurisë se mbyllja e pritshme e kapitujve të rinj në negociatat me Bashkimin Evropian mund të shoqërohet me veprimtari hibride të koordinuara.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Pas dorëheqjes së Evis Salës, Rama emëron Klodiana Spahiun Ministre Shëndetësie

Pas dorëheqjes së Evis Salës nga detyra e Ministres së Shëndetësisë, kryeministri Edi Rama ka emëruar Klodiana Spahiun në këtë post. Vendimi për emërimin e...
12:30 | 03/09/2026

Rama: Çdo deputet që do fus dikë në punë me telefon do jetë vepër penale

“Çdo deputet që do të fusë dikë në punë me telefon do të konsiderohet vepër penale.” Kjo ishte deklarata e Kryeministrit Edi Rama gjatë mbledhjes...
11:14 | 03/09/2026

Rama: “Prania Besnike” çdo të premte në orën 17:00, nuk do të ndryshojë për sa kohë jam kryetar i PS-së

Kryeministri Edi Rama deklaroi në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së se çdo të premte, në orën 17:00, do të nisë “Prania Besnike”, një proces...
10:40 | 03/09/2026