Media malazeze: Serbia dhe Shqipëria janë vendet që Spajiç kishte parasysh kur foli për veprimtari hibride

27 Gusht 2026 | 20:48

Media malazeze “Vijesti” raporton se Serbia dhe Shqipëria janë dy vendet të cilave kryeministri Milojko Spajiç iu referua në një postim në rrjetin social “X”, ku paralajmëroi për përpjekje të mundshme për destabilizimin e Malit të Zi përmes veprimtarive hibride, ndërsa thotë se informacionin e ka mësuar nga disa burime të saj.

Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç, deklaroi se ekzistojnë informacione serioze operative të sigurisë se mbyllja e pritshme e kapitujve të rinj në negociatat me Bashkimin Evropian do të shoqërohet me veprimtari hibride të koordinuara, ku dyshohet se janë përfshirë zyrtarë nga të paktën dy vende të rajonit.

“Sipas informacioneve tona, aktivitete të tilla kanë për qëllim destabilizimin e Malit të Zi, me mbështetjen e pritshme të aktorëve të caktuar politikë dhe të një pjese të skenës mediatike në vendin tonë. Ne i dimë këto synime dhe jemi të vetëdijshëm për qëllimin e tyre. Përpjekjet për destabilizim nuk do të ndryshojnë kursin tonë dhe as nuk do ta ndalojnë rrugën evropiane të Malit të Zi, e cila është më e madhe se interesi i përditshëm i çdo strukture politike”, shkroi kryeministri malazez.

Sipas Vijesti, Spajiç nuk i identifikoi publikisht shtetet që dyshohet se janë të përfshira në këto veprimtari. Megjithatë, media citon burime të saj duke pretenduar se bëhet fjalë për Serbinë dhe Shqipërinë.

Në këtë kontekst, media malazeze thekson se akuzat lidhen me përpjekje të mundshme për të ndikuar në stabilitetin politik të vendit dhe për të penguar përparimin e tij në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Çfarë nënkuptohet me “veprimtari hibride”?

Veprimtaritë hibride përfshijnë përdorimin e koordinuar të një kombinimi metodash konvencionale dhe jokonvencionale, si mjetet politike, informative, ekonomike, kibernetike dhe ushtarake, me synimin për të dobësuar ose destabilizuar një kundërshtar pa kaluar në një konflikt të hapur ushtarak.

Deri tani, nuk ka një deklaratë publike nga autoritetet shqiptare apo serbe që të konfirmojë akuzat e raportuara nga media malazeze./Vijesti.me

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Mediu: Me goditjen e Berishës u tentua shkatërrimi i opozitarizmit

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka folur në “Review” me Greta Topjana mbi vizitën dhe takimet e Sali Berishës me shqiptarët në SHBA. Mediu...
20:56 | 06/09/2026

Berisha në SHBA: Ata që firmosën ndalimin tim, sot janë non-grata në vendin e tyre, mirënjohje Trump dhe Rubio

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot një takim me diasporën shqiptare në New Jersey të SHBA-së. Gjatë fjalimit, Berisha u ndal te rikthimi...
18:26 | 06/09/2026

Incidenti mes biznesmenve në Vlorë, gjykata cakton masat e sigurisë për 5 të arrestuarit

Janë dhënë masat e sigurisë për pesë personat e arrestuar në lidhje me ngjarjen e ndodhur në një hotel në Radhimë. Për Angjelo Breshanin është...
15:28 | 06/09/2026