Në ceremoninë e shënimit të 27-vjetorit të Policisë së Kosovës, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vlerësuar punën e këtij institucioni, duke thënë se vendi sot është më i sigurt dhe Policia më e fuqishme se më parë, transmeton Gazeta Metro.
Kurti e lidhi historikun e Policisë me çlirimin e Kosovës dhe sakrificat për ndërtimin e shtetit. Ai foli edhe për luftimin e krimit të organizuar, sundimin e ligjit dhe forcimin e pranisë institucionale në veri.
“Kosova është më e sigurt se asnjëherë më parë sepse Policia e shtetit është më e fortë se kurrë. Themelimi i policisë përkon me çlirimi e vendit tonë, me sakrifica e mund u ngrit ky institucion ku sot secili dhe secila që është pjesë e saj punon dhe kontribuon me dinjitet dhe përpikëri në çdo cep të vendit tërë kohën”, deklaroi Kurti.
Por, krahas lavdërimeve për institucionin, në këtë përvjetor janë rikthyer në vëmendje edhe problemet me të cilat përballen pjesëtarët e Policisë. Ende nuk është miratuar ligji për pensionimin e tyre, ndërsa mungojnë sigurimi shëndetësor dhe ai jetësor.
Kryetari i Sindikatës së Policisë, Avdi Hoti, tha se shqetësimet lidhen edhe me pagat, shtesat, kompensimin për punën e natës, pajisjet dhe kushtet në të cilat shërbejnë zyrtarët policorë.
“Pas 27 vjetësh të Policisë së Kosovës, pjesëtarët e saj vazhdojnë të përballen me një sërë shqetësimesh që lidhen drejtpërdrejt me kushtet e punës dhe mirëqenien e tyre. Ndër shqetësimet kryesore janë ligji për pensionim të pjesëtarëve të policisë, sigurimi shëndetësor dhe jetësor, pagat dhe shtesat, kompensimi i punës së natës, pajisjet dhe kushtet e punës, si dhe mirëqenia e zyrtarëve policorë”, tha Hoti.
Ndërkohë, dita e Policisë së Kosovës u shënua me një ceremoni solemne, ku morën pjesë krerë institucionalë, drejtues të Policisë, përfaqësues vendorë dhe ndërkombëtarë.
Policia e Kosovës u themelua më 6 shtator 1999 me vetëm 176 kadetë. Sot, 27 vjet më vonë, institucioni ka mbi 9 mijë pjesëtarë. Në fillimet e saj, Policia funksionoi nën administrimin e UNMIK-ut. Ndërsa më 15 qershor 2002 nisi bartja graduale e kompetencave dhe përgjegjësive policore te Shërbimi Policor i Kosovës./gazetametro.net