Shkon në 12 numri i personave të arrestuar në kuadër të hetimit për vrasjen e 20-vjeçarit portugez, Miguel Mendes në Ksamil.
Mes të arrestuarve është Moisid Matushaj, 24 vjeç, banues në Gjirokastër, me detyrë Ndihmës Specialist i Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Kufirit Gjirokastër.
Sipas dyshimeve të hetuesve, Matushaj ka ndihmuar Sokrat Vatën, i dyshuar për vrasjen e 20-vjeçarit portugez, që të largohej pas krimit.
24-vjeçari rezulton se punonte edhe si truprojë për kompaninë “Elite Security”, ku ishte pjesë e të njëjtit staf me Vatën në lokalin “Principote” në Ksamil.
Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim Bekim Bulicën, i cili rezulton të jetë pronar ‘në hije’ i “Principote”, ambientit ku ndodhi vrasja.
Sipas të dhënave të publikuara ne media, “Principotes” rezulton e regjistruar nën emrin e 70-vjeçares Kade Bulica, nga Kukësi, nëna e Bekim Bulicës.
Emri i Bulicës është përmendur edhe më herët në materiale hetimore të përcjella nga autoritetet franceze te ato shqiptare, në lidhje me dyshime për një rrjet të trafikut ndërkombëtar të drogës dhe pastrimit të parave.
Sipas këtyre materialeve, ai dyshohej se kishte lidhje me një grup që merrej me shpërndarjen e kokainës në Paris.
Hetimet vijojnë për të zbardhur të gjithë dinamikën e ngjarjes, rolin e personave të arrestuar dhe të atyre që janë shpallur në kërkim.













