Ministria e Mbrojtjes raporton 20 vatra në total gjatë ditës, nga të cilat 11 vijojnë të jenë aktive, 7 janë nën mbikëqyrje dhe vetëm 2 janë shuar plotësisht.
Në terren janë angazhuar bashkitë, zjarrfikëset dhe Forcat e Armatosura me mjete tokësore dhe ajrore.
Vatrat më problematike janë Mali i Dajtit, zona e Kavajës, Dibra dhe Shkodra në në aksin Bardhaj Myselim. Në të gjitha zonat problematike janë në gatishmëri Forcat e Armatosura, avion Air Tractor, helikopterë, forcat vendore dhe vullnetarë të shumtë.
Vatra të tjera aktive janë shënuar edhe në Kropisht të Selenicës dhe Vokopolë të Poliçanit.
Ndërkohë nën monitorim janë vendosur vatrat në Korçë, Elbasan, Durrës, Fier, Kukës dhe Shkodër, ndërsa në zonën Drizë-Peshtan-Frakull të Fierit situata është nën kontroll.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile thotë se po monitoron pa ndërprerje situatën në bashkëpunim me prefekturat dhe bashkitë, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pronës së qytetarëve.
