Masivi pyjor i Tërbunit në Pukë vijon të digjet prej katër ditësh, ndërsa flakët po përhapen në sipërfaqe gjithnjë e më të mëdha.
Era e fortë dhe temperaturat e larta kanë favorizuar përparimin e zjarrit, ndërsa terreni i vështirë malor po pengon ndjeshëm ndërhyrjen e forcave nga toka.
Mungesa e rrugëve të aksesueshme ka kufizuar edhe përdorimin e mjeteve zjarrfikëse në zonat e përfshira nga flakët.
Në disa pjesë të masivit, zjarri ka shkrumbuar sipërfaqe me pisha dhe bimësi të dendur, duke rritur ndjeshëm dëmin në zonën pyjore.
Forcat në terren vijojnë përpjekjet për frenimin e flakëve, por ndërhyrja nga toka mbetet tejet e vështirë.
Për këtë arsye, autoritetet vendore dhe banorët kërkojnë angazhimin e helikopterëve për të goditur vatrat nga ajri dhe për të parandaluar zgjerimin e mëtejshëm të zjarrit.













