Lajme

Koci: Abdixhiku duhej të komunikonte me deputetët para marrëveshjes me Kurtin

09/01/2026 23:27
nga:Genita C

Politologu Milazim Koci në emisionin “RTK Prime” në RTK ka thënë se kundërshtimi i gjashtë deputetëve të LDK-së ndaj bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje nuk ishte vendim i papritur.

Duke komentuar zhvillimet brenda LDK-së, Koci ka kritikuar mënyrën se si, sipas tij, kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, ka komunikuar me grupin parlamentar lidhur me marrëveshjen për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president.

“Mua ajo që më befasoi më së shumti është si është e mundur që zoti Abdixhiku nuk ka arritur ta kuptojë që kjo do të ndodhë?”, ka thënë Koci.

Ai ka deklaruar se Abdixhiku, pas bisedimeve me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, është dashur fillimisht të takohej me deputetët e LDK-së dhe të tentonte t’i bindte për mbështetjen e kandidaturës së Sejdiut.

“Pas marrëveshjes me zotin Kurti, doli menjëherë në konferencë për shtyp. Mendoj që metodologjia ishte e gabuar. Do të duhej fillimisht të takohej me grupin e deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, është shprehur ai.

Koci ka thënë se konferenca për shtyp e një dite më parë i kishte vendosur deputetët para një “akti të kryer”.

“Po të mos t’ishte qenë konferenca për shtyp dje, nuk do të bëhej fjalë për akt të kryer, por pas asaj konference, ajo ishte akt i kryer, ultimatum praktikisht”, ka deklaruar Koci.

Sipas tij, Abdixhiku është dashur t’u jepte deputetëve më shumë kohë për diskutim dhe përpjekje për sigurimin e votave.

“Kështu u fitua përshtypja që as nuk pat përpjekje për t’i bindur që ta votojnë zotin Sejdiu. Unë ashtu e kuptova. Ose së paku ashtu u la përshtypja”, ka thënë Koci.