Nxënësit e klasës së pestë në shkollën ‘Pavarësia’ në Prishtinë, janë përballur me mungesën e mësueses që në ditët e para të vitit të ri shkollor. Në ditën e parë të mësimit, të gjithë nxënësit ishin të pranishëm, ndërsa një ditë më vonë vetëm 3 prej 39 nxënësve sa ka kjo klasë, ishin të pranishëm.
Prindërit kishin refuzuar t’i dërgonin fëmijët në mësim, duke kundërshtuar mungesën e mësimdhënëses. Ata bëjnë të ditur se nuk ishin njoftuar paraprakisht për këtë ndryshim. Sipas tyre, paqëndrueshmëria e mësimdhënësve është një problem i përsëritur që prej gjysmëvjetorit të dytë të klasës së dytë.
"Ky problem neve si klasë na ka përcjell prej klasës së dytë në gjysmëvjetorin e dytë kur mësimdhënësja që ka qenë e përcaktuar me i përcjell deri në klasën e pestë është përcaktuar zv/drejtoreshë e shkollës, ndërsa vendi ka mbet pa mësimdhënës dhe kanë marrë gjithmonë zëvendesim të mësimdhënësve. Deri më tani janë ndërruar 3 mësimdhënëse, kështu kjo reflekton tek fëmijët tanë në pasiguri dhe ata po i vuajnë pasojat”, tha Arian Ramadani, prind.
Drejtori i shkollës thotë se nxënësit nuk kanë mbetur pa mësim, pasi përkohësisht është bërë një zëvendësim i brendshëm. Por, sipas tij, shkolla është në pritje të një mësueseje që do të ketë vendim për të punuar deri në fund të vitit shkollor.
"Sigurisht me të drejtë që do të duhej që të ishte mësuesja e përzgjedhur për atë klasë. Zëvendësimin që e kemi bërë ne është zëvendësim i brendshëm dhe jemi në pritje të një mësuese me vendim që të punojë deri në fund të vitit shkollor”, Halil Brahaj, drejtor i shkollës ‘Pavarësia’ në Prishtinë.
Nga Komuna e Prishtinës sqarojnë se vonesat kanë ndodhur për shkak të verifikimit të fondeve financiare. Drejtori i Arsimit, Arianit Elshani, theksoi se institucionet janë kujdesur që çdo mësimdhënës i ri të ketë mbulesë të sigurt buxhetore për pagesat e rregullta.
"Unë jam kujdesur që personat që angazhohen si mësimdhënës, si mësues klasor, arsimtar apo çfardolloj pozicioni tjetër funksioni në kuadër të drejtorisë të sigurohet që për ta ka mbulesë buxhetore. Pra, që ata persona të mbulohen me mjete financiare në fund të muajit , ata njerëz të paguhen. Dhe për këtu nuk kam dashur që të ngutem, sigurisht që kjo ka marrë kohë, fatkeqësisht edhe mundet me afektu në këto dy ditët e para, ka afektu në këtë rast edhe në shkollën ‘Pavarësia’, mirëpo ajo se çka jemi të sigurt që ata që caktohen aty, do të paguhen dhe janë bërë tashmë kërkesat të gjitha”, tha Elshani.
Drejtori i Arsimit në Prishtinë thotë se mësimdhënësit e rinj pritet të jenë nëpër klasat përkatëse së shpejti, duke paralajmëruar se kjo çështje do të zgjidhet.