Një tjetër aksident është regjistruar në Durrës, duke shënuar rastin e dytë brenda 24 orëve ku një automjet përfundon i përmbysur.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Hysen Kërtusha”, pranë stadiumit, ku një automjet tip fuoristradë është kthyer përmbys. Dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë një parakalim i gabuar nga drejtuesi i mjetit.
Në automjet ndodheshin dy pasagjerë, një grua dhe një fëmijë. Fatmirësisht, të tre personat, përfshirë edhe drejtuesin e mjetit, kanë pësuar vetëm dëmtime të lehta.
Ata janë transportuar me ambulancë drejt Spitalit të Durrësit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Sipas informacioneve, ambulanca ka mbërritur në vendngjarje pas rreth 20 minutash, pavarësisht afërsisë së spitalit me zonën ku ndodhi aksidenti.
Ky është aksidenti i dytë brenda më pak se 24 orësh në Durrës ku një automjet përfundon i përmbysur.
Pasditen e së enjtes, dy automjete u përplasën në kryqëzimin në hyrje të qytetit, ndërsa njëri prej tyre u kthye përmbys. Fatmirësisht, edhe në atë rast nuk pati të lënduar.













