VIDEO/ Kinemaja shqiptare ka gjetur rrugën për në Evropë. Po për te publiku i saj?

6 Shtator 2026, 17:00Kulturë Bjorn Runa

Ka diçka të çuditshme në mënyrën si na mbërrijnë lajmet për filmin shqiptar. Dëgjojmë se një film është përzgjedhur në një festival ndërkombëtar, apo se ka fituar një çmim, por mes kënaqësisë që një kineast shqiptar po vlerësohet jashtë dhe mundësisë për ta parë vetë atë film, mund të kalojë shumë kohë. Ndonjëherë, lajmi për suksesin është i vetmi kontakt që kemi me veprën.

Gjatë bisedës me regjizorin Ilir Butka, drejtor artistik i Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar, u ndalëm tek disa raste kur prodhime kinematografike shqiptare mjaft cilësore, të njohura e vlerësuara edhe ndërkombëtarisht, shpesh kanë një premierë të shkurtër në vendin tonë dhe të vetmet mundësi për t'i parë janë eventet kulturore, në vend që të kemi mundësi t'i gjejmë ato në kinema  një fundjavë, siç ndodh për shembull me filmat e huaj, apo me filmat komercial.

Rikthimi i festivalit, pas një mungese 14 vjeçare, ishte arsyeja e kësaj bisede, por ndër të tjera, më interesonte edhe ajo që kjo mungesë ka lënë pas: një kinematografi vendase që vazhdon të prodhojë, por pa arritur të ndërtojë një marrëdhënie të qëndrueshme me spektatorin e saj.

“Ne arrijmë të financojmë prodhimin e filmit, por nuk e financojmë distribuimin e filmit.”

Në pamje të parë, e gjitha tingëllon si një mangësi administrative. Në të vërtetë, shpjegon shumë më tepër. Një film mund të quhet i përfunduar për regjisorin, por jo për publikun. Duhet dikush që ta çojë në sallat e kinemasë dhe t’i japë një jetë përtej premierës, duke krijuar arsyet dhe mundësitë që njerëzit të shkojnë ta shohin. Sipas Butkës, pikërisht kjo hallkë profesionale, distributori, mungon në sistemin tonë, bashkë me mbështetjen që mund ta bënte të mundur.

“Një regjisor, në momentin që mbaron së krijuari një film, ka filluar në mënyrë të pavetëdijshme filmin tjetër në kokën e tij.”

Kjo mënyrë e shpjegimit e largon bisedën nga kritika e zakonshme se artistët nuk dinë të promovohen. Regjisori që mendon filmin e ardhshëm nuk po bën domosdoshmërisht diçka të gabuar. As producenti që kërkon financimin e projektit tjetër. Por, kur i njëjti rreth i vogël njerëzish duhet të shkruajë, të prodhojë dhe pastaj të gjejë edhe spektatorin, një pjesë e punës mbetet pa u bërë.

Këtu biseda mori një kthesë interesante. Butka nuk mendon se filmi autor nuk ka çfarë të mësojë nga filmat komercialë. Përkundrazi, edhe kur ka rezerva për nivelin e tyre artistik, ai u njeh një aftësi që filmave të vlerësuar në festivale shpesh u mungon.

“Shpeshherë [filmat komercialë] janë produkte jo të nivelit të lartë, por janë brilante në aspektin e distribuimit dhe gjetjes së publikut.”

Kjo nuk do të thotë se numri i biletave është matësi përfundimtar i cilësisë. Por as çmimi ndërkombëtar nuk e zgjidh vetvetiu çështjen e shikuesit. Një film mund t’i ketë merituar plotësisht vlerësimet dhe përsëri të mos ketë gjetur mënyrën për t’iu afruar publikut të vendit të vet. Pyetja është nëse këto dy përvoja mund të mësojnë nga njëra-tjetra, pa kërkuar që çdo film të bëhet i njëjtë.

Kur e pyeta se çfarë u mungon regjisorëve të sotëm shqiptarë, Butka nuk pranoi t’i fuste autorët në një kategori të vetme. Formimi, përvoja dhe këndvështrimi i secilit, tha ai, janë tepër të ndryshëm për t’u shpjeguar me një përgjigje të përgjithshme. Por ai identifikon një mungesë tjetër, që nuk ka të bëjë me talentin individual.

“Ne nuk jemi një komunitet që komunikojmë sa duhet me njëri-tjetrin.”

Nuk mungon vetëm takimi me spektatorin, por edhe ballafaqimi mes kolegësh: aftësia për ta parë punën nga një kënd tjetër dhe për të mirëpritur një sugjerim. Kjo e zhvendos rolin e festivalit përtej shfaqjeve dhe ceremonive. Ai mund të jetë vendi ku një komunitet krijues rifillon një bisedë që, sipas Butkës, nuk e ka zhvilluar mjaftueshëm.

Megjithatë, Butka flet me optimizëm për bashkëprodhimet rajonale, për përvojën e producentëve, financimet evropiane dhe pajisjet që tashmë mund të gjenden në Shqipëri. Në një vend ku integrimi evropian zakonisht diskutohet si premtim për të ardhmen, ai e përshkruan kinemanë si një fushë ku bashkëpunimi tashmë funksionon.

“Kinematografia [shqiptare] është pjesë e Evropës nëpërmjet qenies pjesë në mekanizmat evropianë të financimit.”

Por rruga drejt partnerëve evropianë duket, në disa aspekte, më e shtruar sesa ajo drejt spektatorit shqiptar. Për Butkën, kjo është veçanërisht e dukshme te të rinjtë, të cilët, sipas tij, shpesh nuk njohin as filmat, as njerëzit që i realizojnë. Ndaj matësi i suksesit të festivalit që propozon është mjaft konkret: një sallë ku të paktën gjysma e publikut të jetë e re në moshë.

Në fund, biseda na ktheu te financimi, por tashmë nga ana tjetër. Nëse provohet se ka një publik që e kërkon filmin shqiptar, argumenti për ta mbështetur bëhet më i fortë. Financimi, siç thotë Butka, mund të trajtohet “jo si luks, por si një domosdoshmëri”.

Transkripti i plotë

Bjorn Runa: Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar rikthehet pas katërmbëdhjetë vitesh mungesë. Do të zgjasë dhjetë ditë dhe bën bashkë një dekadë e gjysmë filma shqiptarë dhe disa gjenerata kineastësh që kanë formësuar kinemanë shqiptare. Çfarë pritet të sjellë ky edicion i Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar dhe çfarë e bën të veçantë rikthimin e tij pas një kohe kaq të gjatë?

Ilir Butka: Përpos numrit të filmave që gjatë këtyre katërmbëdhjetë viteve janë akumuluar ndërkohë dhe janë parë nga publiku shqiptar, sepse premierat e tyre janë bërë, por nuk kanë pasur ndoshta mundësi të distribuohen në një sistem të zgjeruar, të vërtetë distribuimi në kinematë tona, jepet një shans i mirë që të bëjmë një reflektim mbi këta filma të prodhuar ndër vite dhe të kuptojmë realisht se cili është raporti që kemi lënë pa konsumuar me shikuesin. Janë filma që, pavarësisht se ka vite që janë prodhuar — ka edhe filma të viteve të fundit — nuk mund të themi me plot gojën që e kanë ezauruar kontaktin e tyre me shikuesin. Vështirësitë e distribuimit, që tashmë i dimë, lidhen me një sërë arsyesh. Lidhen me faktin që ne, në sistemin tonë të prodhimit të filmit, në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë, nuk e kemi konsideruar distribuimin si një hallkë të rëndësishme, referuar faktit që nuk është financuar. Ne arrijmë të financojmë prodhimin e filmit, por nuk e financojmë distribuimin e filmit. Kjo nënkupton një sërë elementesh që kanë të bëjnë me distribuimin: promovimin në radhë të parë, realizimin e siglave dhe të trailerëve promovues. Pra, na mungon një sistem i tërë promovimi dhe, nëpërmjet festivalit, mendojmë se këtë hallkë të munguar të sistemit mund ta anashkalojmë dhe të tentojmë të vendosim një lidhje direkte me spektatorin, me publikun, në mënyrë që të shikojmë ku jemi me filmat që kemi realizuar, por edhe për të kuptuar pak më shumë lidhur me kërkesat që ky spektator ka. Duke mos pasur këtë lloj kontakti me spektatorin, ndoshta kemi humbur një lloj ndjeshmërie ndaj pritshmërive të tij. Dhe, sigurisht, vendosja e këtij kontakti nënkupton që duhet të marrim në konsideratë çfarë shikuesi pret nga ne. Kemi filma të realizuar katërmbëdhjetë vjet më parë, por ka edhe filma të fundit, të cilët kanë një diferencë të madhe teknike midis tyre, kanë diferenca tematike shpeshherë, por kanë edhe diferenca në aspektin konceptual. Ka filma që tingëllojnë tepër të rinj dhe, si të tillë, kanë vajtur në festivale ndërkombëtare të rëndësishme, kanë fituar shumë çmime. Është edhe ky një fakt që tregon, në njëfarë mënyre, cilësinë e tyre. Ne kemi një certifikatë garancie për cilësinë e këtyre filmave. Në asnjë nga festivalet ndërkombëtare nuk të hapet dera lehtësisht për të konkurruar, pikë së pari për të marrë pjesë. Pastaj, mos flasim për të fituar çmime. Do të thotë që këto çmime i kanë merituar, sepse ne nuk kemi mundësi të krijojmë një lloj presioni, qoftë ndaj jurive, qoftë ndaj vetë selektorëve të festivaleve, për të na marrë filmat tanë dhe për t’i vlerësuar. Kjo do të thotë që filmat atje kanë funksionuar, janë pëlqyer. Duhet të ngremë pyetjen përse kjo pëlqyeshmëri nuk është edhe në ambientin tonë. Ndoshta nuk e kemi kryer mjaftueshëm fazën e promovimit dhe pikërisht këtu jemi përqendruar në këtë festival. Kemi ngritur një sistem të vërtetë promovimi të autorëve të festivalit, duke u dhënë zë atyre. Kemi marrë intervista, kemi realizuar, në thonjëza, disa podkaste me ta, duke menduar se ndoshta kjo ka qenë edhe arsyeja që këta personazhe, këta krijues, nuk kanë arritur dot të promovojnë vetveten dhe, si pasojë, edhe produktin e tyre. Duke u përpjekur ta kompensojmë këtë mungesë nëpërmjet këtyre podkasteve, kemi parë me vëmendje edhe një politikë të promovimit të tyre në rrjetet sociale. Pra, festivali në vetvete ka qenë, në këtë rast, një strategji e mirëfilltë për promovimin e festivalit dhe të filmave të këtyre njerëzve, duke filluar që nga edicionet e kaluara të festivalit. Duke i dhënë publikut një informacion paraprak se çfarë është ky festival, çfarë është kinematografia shqiptare në përgjithësi, si kemi arritur deri këtu dhe pastaj duke u marrë një më një me të gjithë këta krijues që kanë një trajektore të tyre personale nëpër festivale, nëpër aktivitete të ndryshme ku kanë marrë pjesë, për të dhënë edhe zërin e tyre: çfarë mendojnë rreth argumenteve të rëndësishme që kanë të bëjnë me kinematografinë, me jetën sociale, me shikuesin, me bashkëprodhimet me vende të tjera, me financimet. Besoj që kjo strategji, kjo mënyrë të pari të promovimit të krijuesve dhe të festivalit në vetvete, do të sjellë të paktën një interes te publiku. Duam që publiku të kthejë kokën. Ajo që synojmë shumë këtë vit dhe këtë edicion është edhe mosha e këtij publiku. Do të donim shumë që të ishte një publik i ri, një moshë e re, sepse kemi konstatuar me keqardhje që, nga një pjesë e madhe e rinisë shqiptare, nuk njihet fare kinematografia e këtij vendi. Kur flas për kinematografinë, flas për regjisorët, për kineastët në përgjithësi, por flas edhe për aktorët. Aktorët në të gjithë kinematografinë e botës janë yje që janë subjekt frymëzimi për rininë. Këtu nuk ekziston kjo tendencë për të konsideruar një aktor si një imazh të adhuruar të rinisë shqiptare. Sigurisht, kanë aktorë të huaj, por kjo i ka larguar shumë nga një marrëdhënie me një produkt vendas dhe me një masë njerëzish vendas që krijojnë këtë produkt që quhet kinematografi. Të përpiqemi të kuptojmë ku kemi gabuar dhe ta kompensojmë këtë gabim, duke propozuar një realitet që ekziston në fakt; nuk po e krijojmë. Nuk jemi duke krijuar një realitet. Është një realitet që po përpiqemi ta shpluhurosim, ta propozojmë, ta ripropozojmë në një imazh të ri, në një formë të re, me synimin për të ngjallur këtë lloj marrëdhënieje. Do të ishte sukses i vërtetë nëse, pikë së pari për kuriozitet, të rinjtë shqiptarë të vinin në sallë. Shikoni filma shqiptarë, sepse, me thënë të drejtën, ka shumë filma interesantë, si te filmi i gjatë, ashtu edhe te filmi i shkurtër, që janë më pak impenjativë, që i bëjnë bashkëmoshatarët e tyre. Në njëfarë mënyre, të jenë kuriozë për të parë çfarë prodhojnë këta njerëz. Ka filma dokumentarë, ka filma të animuar. Është një ofertë ndaj së cilës vështirë mund të qëndrosh indiferent. Shpresoj që kjo të mos ndodhë.

Kam dy pyetje që po i bëj bashkë, sepse lidhen edhe me këtë që po thoshit. E para lidhet me mungesën: pse u deshën kaq shumë vite që festivali të rikthehej dhe çfarë e bëri të mundur rikthimin e tij pikërisht tani? Dhe e dyta: çfarë tregon kjo mungesë kaq e gjatë për vendin që zë kinemaja në prioritetet kulturore të Shqipërisë, të vendit ku jetojmë?

Arsyeja pse është vonuar kaq shumë… Të kërkosh një arsye është pak e vështirë. Duhet të jenë disa arsye. Një nga arsyet mund të jetë fakti që, në edicionet e fundit, erdhi duke u larguar një edicion nga tjetri. Filloi të organizohej një herë në tre vjet, një herë në katër vjet, një herë në pesë vjet. Pra, fillonte të largohej, patjetër për shkak të mungesës së prodhimeve të mjaftueshme. Ishin prodhuar pak filma dhe kjo nuk lejonte që të organizonim më shpesh festival. Por, duke iu referuar viteve kur unë kam qenë kryetar i Qendrës, synimi ka qenë të rritej numri i prodhimeve të kinematografisë dhe realisht numri u rrit. Kur unë mendoja që ndoshta pas pesë vjetësh mund ta organizoja, që ishte një kohë e mjaftueshme për të organizuar një festival, unë nuk u riemërova. Kështu që i kaloi një kryetari tjetër kjo detyrë, që ndoshta nuk e kishte prioritet, sepse ka pasur prioritet prodhimin. Përgjithësisht kemi qenë shumë të përqendruar te prodhimi, te sasia dhe cilësia e prodhimit, duke anashkaluar pikërisht këtë hallkë, duke mos e menduar — dhe kalojmë te pyetja e dytë — si një hallkë të domosdoshme, jetësore, për të realizuar edhe atë të parën. Nuk ka rritje të prodhimit pa pasur edhe një reflektim të vazhdueshëm rreth atij prodhimi që ke realizuar. Dhe, përsëri duke iu referuar pyetjes së dytë, për të parë se sa shoqëria shqiptare mund të lidhet me këtë lloj prodhimi: a është e interesuar vërtet? Flas për shoqërinë, por edhe për politikën, në të gjitha aspektet. A e shikojmë ne një prodhim kinematografik si pjesë të pandarë të zhvillimit të këtij vendi? Mendoj që artet në përgjithësi duhet ta kenë këtë lloj prirjeje. Duhet të shkojnë krah për krah me rritjen ekonomike, financiare, në të gjitha aspektet. Ndoshta ne, duke vepruar në këtë mënyrë, duke mos i dhënë vendin që meriton një festivali, që në fund të fundit është një festë e madhe dhe një demonstrim i asaj çka jemi në gjendje të prodhojmë, ia kemi hequr të drejtën vetes me këtë mungesë, pa e kuptuar, duke mos e bërë të domosdoshme atë që shoqëria duhet të ndiejë rreth detyrimeve që ka ndaj këtij arti, ndaj kësaj fushe, ndaj kësaj gjinie në kompleksin e kulturës. Besoj që me këtë festival do të përpiqemi ta kompensojmë këtë vakuum të krijuar dhe ndoshta nuk do ta tolerojmë më këtë zgjatje në kohë të riprezantimit të prodhimeve. Shpresoj që të mos përsëritet kjo gjë.

Ju, në fakt, iu përgjigjët edhe pyetjes së radhës që kam, por do të doja ta shpjegonim në mënyrë pak më të hollësishme. Ne kemi prodhime dhe kemi prodhime goxha të mira filmike, që kanë pasur suksese në festivale dhe janë pritur mirë. Megjithatë, duket sikur pas momentit të suksesit në festival ndodh një lloj thyerjeje në sistem. Filmat prodhohen, financohen, konkurrojnë jashtë dhe pastaj sikur zhduken ose kanë një jetë shumë të shkurtër në kinema në Shqipëri. Po marr si shembull, vetëm sepse e pëlqej — është subjektive, e pëlqej si regjisor dhe e kam pasur të ftuar edhe në podcast — Gentian Koçin, për filmin “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur”. Është një film fantastik, që më preku vërtet kur e pashë, dhe mundësia që pata ta shikoja pas premierës ishte në një nga këto aktivitetet tek Art Explora. Më ka ndodhur edhe me filma të tjerë shqiptarë që sikur nuk qëndrojnë shumë gjatë në kinema private ose në kinema të zakonshme, ku njerëzit shkojnë një fundjavë. Nuk shkojnë thjesht për të marrë pjesë në një aktivitet kulturor, por edhe thjesht për të parë një film, për të kaluar ca momente të fundjavës.

Ka një kontradiktë të madhe, në fakt, për mendimin tim, rreth qëndrimit që një regjisor dhe një producent kanë ndaj një filmi të realizuar. Sepse një regjisor, në momentin që mbaron së krijuari një film, ka filluar në mënyrë të pavetëdijshme filmin tjetër në kokën e tij. Pra, ka filluar të investojë për filmin tjetër. Dhe vështirë do të gjesh një regjisor që të jetë shumë i devotshëm në distribuimin, në shpërndarjen, në kujdesin që duhet të tregojë për filmin e kaluar. Ai ka filluar të operojë në një tjetër sistem, ndërkohë që producenti, duke qenë se është i lidhur me pjesën financiare të filmit, përpiqet të nxjerrë nga ky film i sapombaruar të ardhurat e tij. Pra, ka një kontradiktë brenda një qenieje që mund të jetë edhe regjisor, edhe producent njëkohësisht. Aq më tepër po të shtojmë faktin që në të gjithë botën është gjetur një zgjidhje e tretë që quhet distributor. Një person tjetër, një menaxher i distribuimit, e merr filmin dhe kujdeset ai praktikisht. Pra, e lë edhe vetë producentin të lirë të operojë me filmin e ardhshëm. Është një specialist që fillon të investohet për ta shtrydhur këtë produkt dhe për të nxjerrë lëngun e duhur, për të siguruar të ardhurat për filmin tjetër. Duke mos e pasur këtë hallkë, këtë të tretin, distributorin, ne ia delegojmë përsëri këtyre dy faktorëve, regjisorit dhe producentit, duke e zvarritur projektin e radhës të tyre dhe duke u kthyer në pengesë për ta, në thonjëza. Edhe u pëlqen të merren me të, ta distribuojnë dhe ta shpërndajnë, por thellë-thellë nuk është misioni i tyre. Misioni i tyre ka mbaruar tashmë. Ata kanë dorëzuar produktin dhe duhet të sjellin produktin e radhës. Në një botë frenetike, normalisht ata duhet të kishin bërë këtë gjë, duhet të kishin parë produktin e radhës. Në botën ku jemi është e pamundur t’i bësh të dyja njëkohësisht, sepse kërkon shumë energji. Do të thotë të kërkosh financimin e ri të projektit të radhës. Atëherë, kush është ai që do ta kryejë këtë funksion? Është një hallkë e munguar, nuk e kemi, nuk ekziston në sistemin tonë. Aq më keq, jo vetëm që nuk e kemi, por nuk ekzistojnë as stimuj, nuk kemi as mbështetje financiare. Nuk është parashikuar për një kategori që mund ta krijonim. Por, duke mos pasur asnjë mbështetje financiare nga shteti, mbetet totalisht inert dhe i painteresuar kushdo që mund ta ketë vokacion këtë gjë. Këtë pjesë e bëjnë shumë mirë, çuditërisht, filmat komercialë. Filmat komercialë shkëlqejnë te kjo pjesë, jo te pjesa e parë e prodhimit. Shpeshherë janë produkte jo të nivelit të lartë, por që janë brilante në aspektin e distribuimit dhe gjetjes së publikut. Kurioziteti është si mund të gjejmë mekanizma të përbashkët bashkëpunimi, që të marrim nga filmat komercialë distribuimin dhe ata të marrin nga filmat autorialë, nga filmat e nivelit të mirë, disa karakteristika që do t’u jepnin vlerë atyre. Vlerë në aspektin artistik. Është një çështje që nuk e kemi zgjidhur akoma dhe nuk e di si mund ta kenë zgjidhur edhe të tjerët. Janë dy gjëra që ecin paralel dhe nuk prekin asnjëherë njëra-tjetrën. Njëra nxjerr lekët nga një produkt që nuk është shumë i mirë artistikisht. Tjetra është produkt i mirë artistikisht, çan festivale me çmime, vlerësohet, por nuk e gjen dot publikun. Kjo gjë duhet gjetur. Ndoshta vetë Qendra Kombëtare e Kinematografisë duhet të gjejë një sistem që nxit këtë lloj qasjeje të publikut me produktin që ajo financon që në fillim të herës, që është produkt kinematografik autorial.

Festivali, siç e thatë edhe ju, ka filma të një dekade e gjysmë, por ka edhe filma të kohëve të fundit. Jam kurioz: kur shihni punën e regjisorëve të rinj shqiptarë sot, ose jo domosdoshmërisht regjisorë të rinj, por filma të rinj, prodhime të reja, çfarë mendoni se u mungon më shumë? Ka një element, një faktor ose një tipar që shfaqet si mungesë më shpesh te shumica e tyre?

Nuk do ta thosha. Janë kaq të ndryshëm nga njëri-tjetri, saqë do të ishte e vështirë të përgjigjeshe me një sugjerim. Secili ka gjetur rrugën e tij në bazë të formimit kulturor që ka, në bazë të njohjeve lidhur me fushën e kinematografisë, në bazë të përvojave personale, në bazë të shkollës që ka ndjekur. Kemi njerëz që kanë ndjekur shkolla të ndryshme dhe kjo ka krijuar individualitete që vështirë se mund të goditen me një postulat. E kam të vështirë ta them, por secili prej tyre, pa diskutim, ka reflektuar rreth asaj që ka bërë deri më sot dhe unë do të isha shumë i interesuar që ky reflektim i tyre personal të bëhej publik. Të shfaqej pas shumë kohësh, ndoshta asnjëherë i shfaqur, përpara publikut me sinqeritet dhe përpara kolegëve. Na ka munguar vërtet ballafaqimi me publikun, por unë besoj shumë që na ka munguar edhe ballafaqimi me njëri-tjetrin. Ne nuk jemi një komunitet që komunikojmë shumë me njëri-tjetrin dhe, duke mos komunikuar, besoj që nuk jemi thirrur për ta parë nga këndvështrime të tjera punën që bëjmë. Shpesh kemi një këndvështrim unik tonin dhe nuk i kemi mirëpritur sugjerimet dhe këndvështrimet e tjera. Është një lloj kulture e munguar, besoj unë. Ndoshta duhet menduar edhe kjo nëpërmjet festivalit dhe të konsiderohet si një hapësirë ideale ku mund t’ia lejojmë vetes komunikimin me njëri-tjetrin hapur, me sinqeritet, dhe të kuptojmë realisht çfarë pëlqehet te veprat e njëri-tjetrit, çfarë ka që nuk shkon ose çfarë sugjerimesh mund të bënte dikush tjetër për këto vepra. Thjesht për të hapur një dimension dhe një diskutim.

Nëse shkojmë për një moment pak më përtej filmave pjesëmarrës në festival, mendoni që kinemaja e sotme shqiptare po e kap ose po e regjistron vendin, jetën sociale, problematikat ashtu siç ekzistojnë, apo ka edhe gjëra që mungojnë në ekran?

Ka, pa diskutim, tema të prekura që reflektojnë realitetin, shoqërinë. Mos harrojmë një gjë: flasim për art. Kinematografia e parë si art, jo domosdoshmërisht si një pasqyrë e realitetit. Mund të jetë shumë bukur e konceptuar edhe si një pasqyrë që reflekton realitetin me shumë art brenda. Por përgjithësisht tentojmë ta shikojmë realitetin me sytë e individit, me sytë e autorit, i cili, siç thashë më parë, ka një kulturë të caktuar, të pashmangshme, që e detyron ta shikojë nëpërmjet filtrit të tij çdo gjë, edhe realitetin. Atë që neve na duket një realitet X, për atë është Y. Secili prej nesh, në një mënyrë apo në një tjetër, shikon një realitet objektiv që ekziston për të gjithë gati njësoj, por me filtra të ndryshëm. Dikush e shikon me një deformim që të tjerët nuk e shohin. Dhe artisti është kështu. Artisti ka një filtër ndryshe nga të tjerët dhe impresionohet nga një realitet që të tjerët e shohin dhe nuk impresionohen fare. Ndërkohë, ai përpiqet që nëpërmjet këtij realiteti, që të tjerët i bën të qëndrojnë indiferentë, të ndërtojë një histori, një narrativë që të na bëjë të mendojmë: pse nuk e pamë edhe ne si ai? Përpiqet të zbulojë, me aftësinë e tij vëzhguese, skutat e një realiteti që e kemi përditë përpara dhe nuk arrijmë ta shohim. Ka pastaj nga ata që nuk e konsiderojnë këtë realitet interesant dhe përpiqen të gjejnë realitete të tjera. Ka filma distopikë edhe në këtë festival, të krijuar nga një fantazi e çfrenuar. Ka vend për të gjitha llojet e këndvështrimeve. Është një buqetë shumëngjyrëshe ku secili prej publikut mund të gjejë diçka interesante. Nuk është e thënë që do ta gjejë në të gjithë filmat, por besoj që një publik i vëmendshëm, i impenjuar, në harkun e dhjetë ditëve ka dëshirë të zbulojë një realitet kinematografik të vendit të tij që nuk e njeh tashmë. Shumica e shikuesve nuk e njohin këtë realitet kinematografik. Është rasti ideal për ta bërë. Dhjetë ditë investim në jetën e tyre për të parë nga mëngjesi në darkë filma të të gjitha kategorive. Janë rreth njëqind filma. Besoj që ka vend për kuriozitetin e gjithkujt. Pse duhet parë? Duhet parë qoftë edhe për këtë që thatë ju: për këto pyetje që bëni, për t’u gjetur përgjigjen, për të diskutuar dhe për t’ua drejtuar autorëve. Sepse është rast unik kur qytetari, shikuesi, publiku ka përballë vetes personin që ka realizuar veprën. Ke skenaristin, regjisorin, producentin, aktorët, i ke aty. Është ideale të krijosh një ezaurim total të të gjitha pikëpyetjeve që ke kur shikon një film. Të ndodh rrallë të kesh mundësinë të pyesësh regjisorin pse e ka bërë këtë, si ka menduar ta realizojë këtë skenë, çfarë do të thotë me këtë skenë, a mund të ishte konceptuar ndryshe? Ka një pafundësi pyetjesh që do të ishte rasti ideal t’i konsumonim në një rast të tillë.

Në këndvështrimin tuaj, çfarë do ta bënte të suksesshëm Festivalin Kombëtar të Filmit?

Një publik i interesuar do të ishte suksesi i parë. Një publik i ri që interesohet për filma shqiptarë do të ishte një sukses vërtet i madh. Unë do ta quaja të ezauruar detyrën e festivalit nëse në sallë do të shikoja që të paktën gjysma e publikut të ishte një publik i ri. Një publik i cili ndoshta ka pak njohuri edhe për kinematografinë botërore, por të paktën të ketë njohuri për kinematografinë shqiptare dhe të gjejë ndoshta interesin e ardhshëm të asaj çka mund të bëjë lidhur me kinematografinë. Ne kemi dy shkolla kinematografie. Kemi mundësi të financojmë, nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, studimin jashtë për kinematografi të të rinjve. Kurrë nuk ka pasur një i ri avantazhe të tilla. Është gjynah që të mos shikohet me përparësi mundësia e afrimit me kinematografinë për të rinjtë, sepse është një fushë shumë e gjerë ku secili mund të gjejë veten, ku ke role dhe funksione nga më të ndryshmet. Nuk është puna se bën diçka. Mund të bësh shumë gjëra njëkohësisht dhe midis këtyre gjërave ta gjesh veten në një vokacion totalisht të panjohur për ty më parë. Besoj që është një moment i lumtur, qoftë për kineastët, qoftë për publikun, por edhe për rininë, sepse ka mundësi të mëdha. I shoh të humbur në raport me internetin, me TikTok-un, me gjithçka tjetër që na rrethon, si edhe mosha jonë, jo vetëm ajo moshë. Por do të isha i lumtur nëse ky festival do të tsadopak vëmendjen e këtij grupi, që për mendimin tim i ka të gjitha kushtet të eksplorojë kinematografinë.

Pasi keni shpenzuar një kohë të gjatë me filmat që marrin pjesë në këtë festival, çfarë ju jep më tepër shpresë në lidhje me kinemanë shqiptare dhe çfarë ju shqetëson më së shumti?

Shpresa është kjo: një pjesë e mirë e producentëve tanë kanë krijuar mjaftueshëm përvojë për të bërë bashkëprodhime të suksesshme me kolegët e tyre ndërkombëtarë. Pra, kemi pikë së pari aftësinë tonë për t’iu përgjigjur bashkëprodhimeve. Pikë së dyti, kemi ngjallur interesin e shumë producentëve ndërkombëtarë për t’u afruar me kinematografinë shqiptare dhe me sukseset që ajo ka korrur. Shpeshherë, ata bashkëprodhues që kanë ardhur dhe kanë punuar me ne e kanë parë veten të avantazhuar, sepse kanë qenë pranë sukseseve jo të vogla si bashkëprodhues. Ne kemi pasur edhe një favor të madh: kemi zbuluar bashkëprodhimet rajonale, bashkëprodhimet tona me Kosovën. Gati çdo film i yni është bashkëprodhuar me Kosovën tashmë. Ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme, sepse na ka dhënë fatin të jemi pjesë në filmat kosovarë, që janë sukses i vërtetë në rajon, dhe anasjelltas, edhe ata, në frymën e këtij bashkëpunimi, kanë qenë pjesë e sukseseve tona. Është bërë edhe Maqedonia e Veriut pjesë e këtij bashkëprodhimi nëpërmjet shumë autorëve shqiptarë. Edhe nga Mali i Zi kemi disa raste të tilla. Me Italinë kemi shumë bashkëprodhime, që na japin mundësinë, së pari, të rrisim kapacitetin financiar të mbështetjes për çdo projekt. Së dyti, rrisim ballafaqimin me kinematografi të tjera, me asete realisht të stabilizuara në aspektin tekniko-artistik dhe profesional. Gjithashtu, na jep mundësinë të depërtojmë nëpër këto festivale, ku është kaq e vështirë të depërtosh, pikërisht sepse tashmë jemi në një varkë të përbashkët me producentë të vendeve të rëndësishme. Dikur na shikonin si një kinematografi që vinte nga një vend i vogël. Tashmë, kur shikojnë që në anën tonë ka edhe producentë nga vende të tjera, shikohet një sukses i një montazhi financiar të tillë, kur shikon dikë që ka arritur të bindë disa producentë të tjerë të bëhen pjesë e projektit të tij. Ne jemi pjesë e Eurimages, kemi të drejtat tona në Eurimages. Pra, në raport me pjesë të tjera të jetës artistike shqiptare, jemi shumë të avantazhuar, sepse jemi pjesë e Evropës. Kinematografia është pjesë e Evropës nëpërmjet qenies pjesë në mekanizmat evropianë të financimit. Ne jemi pjesë e Eurimages jo për t’u financuar si prodhim filmi, por për t’u financuar si bashkëprodhim. Eurimages ka qëllim të nxisë bashkëprodhimin dhe ne e kemi merituar këtë lloj certifikate. Financohemi rregullisht nga Eurimages pikërisht sepse kemi bashkëprodhime të suksesshme. Kjo na jep të drejtën të shpresojmë që kemi kuptuar si funksionon mekanizmi. Kemi kuptuar që, për të bërë një film të mirë, duhet të arrish të ndjekësh disa hapa proceduralë, duke filluar nga zhvillimi i projektit, zhvillimi i skenarit, të gjesh gjithë procesin e realizimit të një projekti të suksesshëm dhe të mundësojmë pikërisht atë synim që kemi të gjithë: të depërtojmë në fund në një distribuim të suksesshëm. Kësaj nuk ia kemi arritur akoma, jemi në kërkim. Duhet të theksohet që ky është një shqetësim për të gjithë kinematografinë evropiane. Është një hallkë shumë problematike për kinematografinë evropiane, pavarësisht se ata kanë gjetur mekanizma stimulues për ta financuar këtë moment të sistemit të tyre. Megjithatë, është shumë e vështirë për ta përmbyllur. Mendoj që jemi në një fazë të mirë të pjekurisë sonë, në një fazë të mirë të prodhimit vendas dhe të gjetjes së sistemit, jo vetëm financiar, por edhe të pajisjeve teknike. Ne kemi tashmë disa studio që ofrojnë pajisje me qira. Nuk ka nevojë më të merret asnjë pajisje nga jashtë. Janë të gjitha të financuara në Shqipëri. Kemi një realitet kinematografik shumë pozitiv për sa i përket anës teknike, që ka qenë pika e dobët; nuk e kemi më këtë gjë. Besoj që jemi në një moment fatlum, të cilin duhet ta shfrytëzojmë pozitivisht, duke zgjidhur pikë së pari raportin me shikuesin shqiptar. Nëse zgjidhim raportin me shikuesin, do të ushtrojmë realisht një presion serioz ndaj politikës që ta konsiderojë financimin e filmit si një hallkë të domosdoshme të plotësimit të raportit me një audiencë që e kërkon filmin. Pra, po e vërtetuam që audienca shqiptare do film shqiptar, besoj se do të kemi të gjitha argumentet e duhura për të bindur çdo lloj qeverie që ta konsiderojë financimin e filmit jo një luks, por një domosdoshmëri. Aq më tepër që ne e kemi vërtetuar se çdo euro e hedhur në kinematografi sot është e barabartë me pesë euro të rikuperuara nga ne nga financimet evropiane. E kemi rentabël, hajde ta bëjmë edhe të pëlqyeshme nga publiku.

Nëse mund ta kujtojmë edhe një herë për ata që do ta shohin këtë intervistë: ku mund të vijnë t’i shohin filmat dhe ku mund ta ndjekin festivalin?

Kemi katër salla në dispozicion. Salla e parë është salla e Akademisë së Arteve, salla e koncerteve, që është një sallë e madhe. Është zgjedhur e para për marrëdhënien që ka pasur gjithmonë me artistët dhe me të gjithë ata që kanë mbaruar Shkollën e Arteve. Pjesa dërrmuese e regjisorëve të vjetër, por edhe një pjesë e të rinjve, e kanë mbaruar këtë shkollë. Është një sallë me gjashtëqind vende. Ndoshta është salla më e madhe që kemi për kinemanë, nëse ajo është përshtatur për kinemanë. Nuk është sallë kinemaje, por është kërkuar pikërisht të ishte si e tillë, që të kishte sa më shumë mundësi mikpritjeje për njerëzit që do të donin të shikonin film. Salla tjetër, krahas saj, është salla Black Box, ku do të shfaqen filmat si reprizë. I njëjti program që është në sallën e madhe do të jetë në Black Box, por i alternuar me orare të tjera. Ata që nuk kanë mundësi ta shohin një film në sallën e madhe mund ta shohin një ditë më pas ose disa ditë më pas, në një orar tjetër. Salla tjetër është Kinema Agimi, ku do të shfaqen filmat e shkurtër, dokumentarë dhe të animuar. Gjithashtu, kemi një sallë tjetër te Piramida, ku në datat katër dhe pesë do të shfaqen filmat e animuar dhe një bllok me filma të shkurtër dhe dokumentarë. Janë katër salla. Përveç këtyre, dua t’i transmetoj publikut që kemi pesë fashë orare në ditë: dhjetë me dymbëdhjetë dhe dymbëdhjetë me dy janë oraret e mëngjesit; pesë me shtatë, shtatë me nëntë dhe nëntë me njëmbëdhjetë janë oraret e pasdites dhe darkës. Gjatë kësaj periudhe kohore, gjithkush që ka kuriozitet të shikojë një film mund të konsultojë programin që kemi publikuar në faqen tonë të internetit. Po të vijë në festival, mund të marrë edhe versionin në letër të programit. Hyrja është falas dhe publiku është i mirëpritur; jemi të gëzuar që të vijë. Ekziston edhe mundësia e votës për publikun. Çdokush nga publiku ka të drejtë të votojë, qoftë në sistemin digjital, nëpërmjet telefonit të tij, qoftë në sistemin me letër, siç bëhet zakonisht, me listën e filmave të ditës dhe duke shënuar filmat që i pëlqejnë. Do të kemi rast të përjetojmë këtë vit për herë të parë një koncept të ri të vlerësimit dhe të gjykimit. Është koncepti i Akademisë së Filmit, i aplikuar në shumë vende, ku vetë punonjësit e kinematografisë, vetë kineastët, kanë mundësi të zgjedhin dhe të votojnë filmin që preferojnë më shumë. Duke qenë njerëz që operojnë vetë në film, ndoshta kanë njohje më të mira dhe konsideratat e tyre janë konsiderata profesionistësh. Ne kemi, pa diskutim, profesionistë që do të votojnë si juri zyrtare e festivalit: juria e filmit të gjatë, juria e filmit të shkurtër, juria e dokumentarit dhe juria e animacionit. Por këta janë grupime njerëzish që, sigurisht, kanë votën e tyre. Të kenë të drejtën e votës dhe ta ushtrojnë këtë të drejtë edhe ata që ia kanë kushtuar jetën kinematografisë, që janë punonjës të përditshëm të saj, është një risi që mendoj se do t’i japë mundësinë çdo lloj filmi të mirë të mos dalë pa çmim. Janë shumë çmime. Flasim për tridhjetë e një çmime, nëse nuk gaboj, që do të nxjerrin në pah ato vlera që gjithkush prej kineastëve tanë pretendon se i ka. Nëse nuk të voton një juri, të voton tjetra, të voton publiku. Përgjithësisht, besoj te një drejtësi e kryqëzuar nga disa aspekte. Mund të them që do të jemi për herë të parë të kënaqur për sa u përket çmimeve.

Mirë, shumë faleminderit dhe suksese në këtë edicion. Uroj të kthehet në ngjarje kulturore të përhershme në vend.

Ju falënderoj shumë për mundësinë dhe për shpresën që kam që, nëpërmjet këtij podcasti, t’i drejtohem një fashe të caktuar të rinjsh, të cilët mund të jenë të interesuar për kinematografinë.

Ky podcast mbështetet nga AB Bank.