Situata me zjarret në vend/ Ministria e Mbrojtjes bën bilancin: 11 vatra aktive, FA të angazhuara në terren

Ministria e Mbrojtjes ka bërë bilancin lidhur me situatën e zjarreve në vend. Gjatë ditës janë raportuar 20 vatra zjarri, prej të cilave 11 mbeten aktive, 7 janë nën mbikëqyrje dhe 2 janë fikur.
Në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar strukturat vendore dhe Forcat e Armatosura, përfshirë kapacitete tokësore dhe ajrore.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, vëmendja kryesore vijon të jetë te Mali i Dajtit, ku zjarri mbetet aktiv dhe ndërhyrja mbështetet edhe nga FA me efektivë, mjete dhe helikopter; si dhe në Kryezi të Kavajës, ku krahas forcave zjarrfikëse është angazhuar edhe një avion Air Tractor.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.



