Shqipëria po përballet sërish me vatra zjarri në disa zona të vendit, ndërsa flakët janë riaktivizuar në territore që ishin përfshirë nga zjarret ditët e fundit.
Në Pukë, një vatër zjarri është riaktivizuar në masivin pyjor të Tërbunit, vetëm pak ditë pasi një zjarr i madh dogji rreth 3 mijë hektarë sipërfaqe pyjore.
Flakët, të favorizuara nga era e fortë, janë përhapur me shpejtësi dhe kanë dalë jashtë kontrollit, duke rrezikuar edhe kurorën e qytetit.
Deri më tani raportohet për një banesë të djegur, në pronësi të Ali Bajramit. Banesa ishte e pabanuar. Forcat zjarrfikëse ndodhen në terren dhe po punojnë për izolimin e flakëve.
Ndërkohë, situatë problematike vijon edhe në Fier, ku disa vatra zjarri kanë kërkuar ndërhyrje nga toka dhe ajri. Në operacion janë angazhuar 13 automjete zjarrfikëse, 4 autobote, një helikopter dhe një avion “Air Tractor”.
Në Çërrilë të Mallakastrës, zjarri ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me pisha, ullishte dhe shkurre, ndërsa era e fortë ka favorizuar përhapjen e flakëve.
Edhe në Shkodër, zjarri është riaktivizuar në zonat Bardhaj dhe Myselim. Situata raportohet tashmë drejt normalizimit, ndërsa banesat janë jashtë rrezikut. Për shuarjen e flakëve u angazhuan 6 automjete zjarrfikëse, forca të shumta në terren dhe dy helikopterë. Zona vijon të monitorohet për të parandaluar riaktivizime të tjera.
Ndërkohë, në malin e Dajtit vijon operacioni për shuarjen e plotë të flakëve. Në terren janë angazhuar 77 forca ushtarake dhe një helikopter.
Situata mbetet në monitorim në disa qarqe të vendit, ndërsa temperaturat e larta dhe era po vështirësojnë punën e forcave në terren./Versus.al

