Shkeljet e hapësirës ajrore greke nga mjetet ajrore turke kanë shënuar një rritje të ndjeshme gjatë vitit 2026, me shumicën e inkursioneve që tashmë kryhen nga dronë.
Sipas të përditshmes greke Kathimerini, bazuar në të dhënat publike të Ministrisë greke të Mbrojtjes, në vitin 2024 nuk u regjistrua asnjë shkelje turke, ndërsa gjatë vitit 2025 u evidentuan 225. Që nga fillimi i vitit 2026, numri ka arritur në 433 raste.
Gazeta greke vëren një rritje të qartë të këtyre incidenteve, veçanërisht gjatë dy muajve të fundit. Ndryshe nga vitet e mëparshme, në qendër të vëmendjes është përdorimi në rritje i mjeteve pa pilot.
Sipas Kathimerini, inkursionet nuk kryhen më kryesisht nga avionë luftarakë, por nga dronë të llojeve të ndryshme, si të armatosur ashtu edhe të paarmatosur. Ndër modelet e përdorura përmenden Bayraktar, Aksungur dhe ANKA-S.













