Kroaci – Mbi 150 zjarrfikës në betejë me flakët pranë Konicës, tymi mbulon qytetin
Një zjarr i madh po vazhdon të përhapet në zonën malore pranë Konicës, në veriperëndim të Greqisë, duke vënë në alarm autoritetet dhe banorët.
Zjarri, i cili shpërtheu më 31 gusht në zonën e Trapezitsës në Epir, është intensifikuar gjatë ditëve të fundit për shkak të kushteve të vështira atmosferike dhe terrenit të thyer.
Mbi 150 zjarrfikës, tetë ekipe tokësore dhe 48 automjete janë angazhuar në operacionin për frenimin e flakëve. Nga ajri ndërhyrja po mbështetet nga tetë avionë dhe katër helikopterë.
Shërbimi i Mbrojtjes Civile në Konicë u ka bërë thirrje banorëve të tregohen të kujdesshëm për shkak të tymit të dendur, i cili ka mbuluar qytetin. Ndërhyrjet nga ajri mund të shtojnë përkohësisht sasinë e tymit në zonat e banuara.
Personave me probleme të frymëmarrjes apo sëmundje të zemrës u është rekomanduar të qëndrojnë në ambiente të mbyllura me ajër të kondicionuar ose të largohen nga zona nëse gjendja përkeqësohet.
Autoritetet u kanë kërkuar qytetarëve të mos afrohen drejt zonës së zjarrit dhe të mbajnë rrugët e ngushta të lira për automjetet e emergjencës.
Operacioni po vështirësohet nga terreni i pjerrët dhe në shumë pjesë i paarritshëm, ndërsa bimësia e dendur favorizon përhapjen e flakëve.
Zjarrfikësit po përpiqen të ndalojnë avancimin e zjarrit drejt Konicës dhe të pengojnë kalimin e tij drejt zonës malore të Tymfit, pjesë e vargmalit të Pindit.
Pyjet me dëllinja, pisha dhe bredha të vjetër, të kombinuara me materialin e thatë të grumbulluar në terren dhe përmbajtjen e lartë të rrëshirës, krijojnë kushte veçanërisht të favorshme për përhapjen e shpejtë të flakëve. Gazeta Flaka










