I dërguari i SHBA-së, Steve Witkoff, dhe dhëndri i Presidentit Donald Trump, Jared Kushner, nxitën të dielën për një rikthim në bisedimet trepalëshe midis SHBA-së, Rusisë dhe Ukrainës, pas diskutimeve “substanciale” me zyrtarët ukrainas në Kiev.
Kjo shënon vizitën e tyre të parë në kryeqytetin ukrainas që nga fillimi i luftës dhe vjen në mes të sulmeve pothuajse të vazhdueshme me raketa dhe dronë rusë në qytet. Edhe pse nuk u njoftuan përparime të mëdha pas bisedimeve të së dielës, Witkoff tha se ishte "i bindur se do të ketë një zgjidhje të mirë këtu".
Bisedimet pasuan takimet intensive që Witkoff dhe Kushner zhvilluan me Presidentin rus Vladimir Putin në Moskë, pjesë e përpjekjes së ripërtërirë të Uashingtonit për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Një gjë që unë dhe Steve (Witkoff) menduam vërtet se do të ishte produktive është të kthehemi në formatin trepalësh, të cilin ishim në gjendje ta bënim rreth gjashtë muaj më parë”, tha Kushner në një konferencë për shtyp pas bisedimeve në Kiev.Ai shtoi se SHBA-të kishin folur me të dyja palët rreth kësaj ideje, duke shtuar se "shpresojmë që do të kemi përparim në këtë çështje shumë shpejt". Bisedimet e mëparshme trepalëshe të ndërmjetësuara nga SHBA-të nuk kanë arritur të zgjidhin çështje kyçe, siç janë territori dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën.