Një pacient i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një situatë të tensionuar që, sipas tij, ka ndodhur në Urgjencën e Spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë.
Sipas pacientit, ai është paraqitur në urgjencë rreth orës 16:00, me dhimbje të forta dhe pretendon se pas rreth tre orësh është larguar ende me dhimbje dhe me gurë në tëmth.
Në videon e dërguar në redaksi dëgjohet pacienti duke kërkuar ndihmë dhe qetësues, ndërsa debaton me pjesëtarë të stafit. Gjatë komunikimit, ai këmbëngul se ka dhimbje dhe kërkon që stafi të marrë në konsideratë ekon dhe konsultën e kryer.
Nga ana tjetër, një pjesëtar i stafit i thotë se pacienti ka kryer ekzaminimet, konsultën me kirurgun dhe ka marrë mjekim. Gjatë videos, një pjesëtare e stafit i kërkon gjithashtu pacientit të fshijë regjistrimin.
Videoja pasqyron një komunikim të tensionuar mes pacientit dhe stafit, ndërsa nga pamjet nuk mund të përcaktohet nëse trajtimi i dhënë ka qenë i përshtatshëm apo nëse ka pasur neglizhencë.
JOQ Albania publikon pamjet dhe denoncimin e pacientit, ndërsa mbetet e hapur për një reagim nga QSUT dhe stafi i Urgjencës së “Nënë Terezës” lidhur me rastin.