Maqedonia e Veriut në alarm nga virusi i Nilit Perëndimor, 8 viktima dhe 56 raste

Maqedonia e Veriut në alarm nga virusi i Nilit Perëndimor, 8 viktima dhe 56 raste

22:42, 06/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Maqedonia e Veriut po përballet me një rritje të ndjeshme të rasteve me virusin e Nilit Perëndimor, ndërsa numri i viktimave ka shkuar në tetë.

Viktima e fundit është një 70-vjeçar nga zona e Shkupit, i cili ishte i shtruar në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në kryeqytet dhe kishte një gjendje të rënduar shëndetësore.

Të tetë personat që kanë humbur jetën nga virusi këtë vit janë burra mbi 60 vjeç.

Rritja e shpejtë e rasteve dhe, veçanërisht, numri i lartë i viktimave ka shkaktuar shqetësim te autoritetet shëndetësore të Maqedonisë së Veriut.

Të dhënat tregojnë për përmasat e pazakonta të situatës. Që nga viti 2001, kur virusi i Nilit Perëndimor u regjistrua për herë të parë në vend, deri në fund të vitit 2025 ishin shënuar gjithsej vetëm pesë viktima. Ndërsa vetëm gjatë këtij viti, numri i viktimave ka arritur në tetë.

E njëjta situatë vërehet edhe me numrin e infektimeve. Deri më 1 shtator janë konfirmuar 56 raste, ndërsa në të gjithë periudhën 2011-2025 ishin regjistruar gjithsej 54 raste.

Kjo do të thotë se vetëm gjatë këtij viti, numri i rasteve dhe viktimave ka tejkaluar shifrat e regjistruara në të gjithë periudhën 2011-2025.

Në raport me numrin e banorëve, Maqedonia e Veriut renditet ndër vendet e rajonit më të prekura nga përhapja e virusit, si për numrin e rasteve, ashtu edhe për viktimat.

Për shkak të përhapjes së sëmundjes, në mesin e gushtit autoritetet shpallën gjendje epidemie në disa komuna të zonës së gjerë të Shkupit.

Ndërkohë, gjatë javëve të fundit janë zhvilluar operacione të gjera dezinfektimi dhe spërkatjeje për luftimin e mushkonjave, veçanërisht pranë kanaleve vaditëse dhe zonave të tjera ku ka ujë të ndenjur ose të grumbulluar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco