Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Negociatorët amerikanë në Moskë dhe Kiev gjatë fundjavës në tentim për arritjen e marrëveshjes

Jared Kushner

Jared Kushner

Negociatorët amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner do ta vizitojnë Rusinë dhe Ukrainën këtë fundjavë, ndërsa përpjekjet për t’i dhënë fund luftës duket se po marrin hov, raporton BBC.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, konfirmoi se do të takohet me të dërguarit të dielën, pasi ata do ta vizitojnë Moskën të shtunën për të zhvilluar bisedime me presidentin rus Vladimir Putin.

Witkoff dhe Kushner kanë udhëhequr përpjekjet e presidentit amerikan Donald Trump për të ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje, por dallimet mes dy palëve ndërluftuese mbeten të mëdha.

“Ata po sjellin me vete një propozim për t’i dhënë fund luftës“, u tha Trump gazetarëve kur u pyet për vizitat.

Të premten, Zelensky tha se një dron rus goditi zyrën e kreut të shërbimit të sigurisë së Ukrainës, Oleksandr Poklad, në Kiev. Poklad duket se nuk është lënduar.

Në një postim në rrjetet sociale, Zelensky tha se kishte urdhëruar Pokladin, i cili drejton shërbimin e sigurisë SBU, që t’i përgjigjej sulmit në mënyrë “adekuate“.

Të shtunën, autoritetet rajonale thanë se katër persona u vranë në një sulm rus ndaj qytetit Kamianske, në juglindje të Ukrainës.

Oleksandr Ganzha, kreu i administratës ushtarake të rajonit të Dnipropetrovskut, tha se pesë persona të tjerë u plagosën.

Witkoff dhe Kushneri, dhëndri i Trumpit, e kanë vizituar Rusinë disa herë, por bisedimet e pretenduara do të jenë të parat në Ukrainë.

Zelensky tha se do të garantonte sigurinë e hapësirës ajrore ruse gjatë vizitës së të dërguarve dhe bëri thirrje që Rusia të bëjë të njëjtën gjë për Ukrainën.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve Tass tha se Witkoff dhe Kushner “pritet të mbërrijnë në Moskë dhe më pas në Kiev... më 5-6 shtator“, duke cituar një burim.

Putini të enjten  në një forum ndërkombëtar ekonomik tha se “ka mundësi“ që të arrihet një marrëveshje paqeje.

“Para së gjithash, Moska dhe Kievi duhet të arrijnë marrëveshje mes tyre“, tha ai.

Por ai nuk dha asnjë shenjë se do të tërhiqej nga kërkesat e tij maksimaliste, të cilat përfshijnë edhe lëshime të mëtejshme territoriale nga Ukraina.

Kievi dhe aleatët e tij evropianë i kanë kundërshtuar vazhdimisht kushtet e Putinit, duke thënë se ato janë të barasvlershme me kapitullimin.

Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022 dhe aktualisht kontrollon rreth 20% të territorit të saj.
 

Emisarët amerikanë mbërrijnë në Moskë para bisedimeve për Ukrainën

1 d. më parë / 5 sht 2026 13:46
Kushner - Witkof

Foto: Ilustrim

Photo: Associated Press

Dy nga të dërguarit kryesorë të presidentit amerikan Donald Trump kanë mbërritur në Moskë, para një fundjave bisedimesh që synojnë përshpejtimin e përpjekjeve për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, raporton “BBC”.

Steve Witkoff dhe Jared Kushner mbërritën në kryeqytetin rus të shtunën, ku do të zhvillojnë bisedime para se të udhëtojnë drejt Kievit të dielën për diskutime me Ukrainën.

Trump u tha gazetarëve të premten se të dy "po sjellin me vete një propozim për t'i dhënë fund luftës". Deri më tani, përpjekjet e SHBA-së dhe aleatëve të saj për të ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje nuk kanë arritur të sjellin ndonjë përparim.

Mediumi amerikan i lajmeve Axios raportoi se të dërguarit amerikanë do të takohen veçmas me presidentin rus Vladimir Putin dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Witkoff dhe Kushner u fotografuan duke u pritur nga diplomati rus Kirill Dmitriev në Aeroportin Vnukovo të Moskës.

Të dhënat e gjurmimit të fluturimeve treguan se një avion i Qeverisë amerikane kishte udhëtuar nga Helsinki i Finlandës, ku kishte fluturuar nga SHBA-ja më herët gjatë ditës.

Dy të dërguarit kanë udhëtuar në Moskë në disa raste që nga rikthimi i Trumpit në detyrë, por e diela do të jetë vizita e tyre e parë në Kiev. Delegacione nga Ukraina kanë marrë pjesë në bisedime në SHBA gjatë 18 muajve të fundit.

Zelensky tha të shtunën se Rusia kishte kryer sulme ndaj aeroporteve në Kiev dhe Boryspil gjatë natës, para takimit të planifikuar të tij me SHBA-në.

"Është e qartë se këto sulme ruse ndaj aeroporteve janë një reagim ndaj diskutimeve dhe përgatitjeve për mundësinë që pala amerikane të përdorë një avion për të udhëtuar drejt Ukrainës dhe për t'u ulur në aeroportin e Kievit ose në aeroportin e Boryspilit”, tha Zelensky.

Hapësira ajrore e Ukrainës është mbyllur që nga nisja e pushtimit rus në shkallë të plotë në shkurt të vitit 2022.

Zelensky tha të premten se do të garantonte sigurinë e hapësirës ajrore ruse gjatë vizitës së të dërguarve dhe i bëri thirrje Rusisë të bëjë të njëjtën gjë për Ukrainën.

Ai tha gjithashtu se një sulm rus gjatë natës ndaj një ndërtese civile në rajonin e Dnipros vrau katër persona dhe plagosi pesë të tjerë.

Vizita e Witkoff dhe Kushner në Moskë vjen pak më shumë se një javë pas një vizite të rrallë në kryeqytetin rus nga drejtori i CIA-s, John Ratcliffe.

Nuk pati asnjë koment zyrtar nga Washingtoni apo Kremlini lidhur me atë që u diskutua. Duke folur javën e kaluar, Trump e përshkroi takimin si "gjysmërutinore".
Vitin e kaluar, SHBA-ja, Ukraina dhe Rusia sugjeruan veçmas se një marrëveshje për t'i dhënë fund luftës po afrohej, pas një sërë bisedimesh të ndërmjetësuara nga amerikanët.

Aleatët evropianë zhvilluan gjithashtu bisedime në Paris, por diskutimet përfunduan pa ndonjë përparim. Mosmarrëveshjet kryesore mes palëve ndërluftuese mbeten për çështje të tilla si territori dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën.

Në muajt e fundit, si Rusia ashtu edhe Ukraina kanë intensifikuar sulmet e tyre ajrore, ndërsa luftimet vazhdojnë.