Skip to main content

Citizens.al

“Nuk na përfaqësoni!”,protestuesit përballë Kuvendit

Foto ilustrim/Citizens.al

Që në orët e para të mëngjesit të së hënës të gjitha hyrje-daljet përreth Kuvendit ishin të zëna nga kordonë policësh.

Rreshjet e shiut të mëngjesit nuk i penguan qindra qytetarë të mblidheshin afër Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa mblidhej për herë të fundit për këtë sesion parlamentar. Ata kërkuan dorëheqje të qeverisë dhe largim të klasës politike.

Qytetarët kishin marrë me vete vezë dhe domate për të goditur makinat e deputetëve, por për shkak të kordonit të krijuar nga policia nuk arritën të afroheshin pranë kuvendit.

“Fabrika e armëve” lexonte një pankartë ku ishte pikturuar një pulë me vezë në shenjë ironie ndaj “armatimit” të protestuesve kundrejt policëve, të cilët ishin në gadishmëri.

“Ka pozuar pula e komshies se po thonë që janë armë. Ata me sprej ne me vezë. Nuk e duam më, të iki se na zhgënjeu, po shet Shqipërinë. Gjynah edhe këta të shkretët, në punë janë. Nuk kemi gjë me këta ne, e kemi me ata mbrapa”, u shpreh një nga zonjat protestuese që po mbante në dorë pankartën.

Pa kursyer ironinë, ajo i tha Citizens.al se po kërkonte një vezë kllukë në këmbim të pensionit të saj që është qesharak.

“E di sa është pensioni im? 12 mijë lek. Do e blija një vezë 12 mijë lekë t’jua hidhja atyre në kokë, nga ato klluket e furrikut. Po nuk gjeta edhe bëra vizatimin”, tha më tej ajo, ndërsa lëvizte në rreshtin e parë të kordonit policor.

Mes thirrjesh “Rama jepe dorëheqjen!”, “Ju erdhi fundi” , qytetarët qëndruan për pak kohë në hyrjen pranë qendrës Toptani, për të marshuar më pas në rrugët që përshkojnë perimetrin e kuvendit.

Iris Kola, një studente e arkitekturës së peizazhit u shpreh se kishte dalë për 57 ditë në protestë.

“Njësoj si shumë studentë të tjerë kam dalë që të ardhmen ta ndërtoj këtu dhe mos të kem neojën të iki jashtë dhe gjithashtu kam dalë që mos të kem turp t’ju them shokëve të mi mos ikni jashtë sepse është më mirë në Shqipëri”, u shpreh Iris Kola për Citizens.al.

Për të, kjo protestë prej dy muajsh tanimë, e ka bërë të përjetojë të gjitha emocionet.

“Frika ka qenë e madhe deri diku, por mposhtet në mënyrë të padiskutueshme nga guximi. Ka pasur lot shumë sidomos kur kemi parë shokët që arrestohen. Lot gëzimi gjithashtu kur kemi arritur një, dy apo disa gjëra, por mbi të gjitha atdhedashuria vazhdoi të qëndrojë”, u shpreh Kola.

Sipas Irisit kërkesat janë të njëjta, dorëheqje e qeverisë Rama, ndërsa parë në syrin e një profesionisteje të ardhshme në zhvillimin e peizazhit vendi është zhvilluar pa pasur në qendër qytetarin.

“Nëse flasim për kryeqytetin është i gjithë me beton ku ti nuk ke një hapësirë që të marrësh frymë lirshëm. Edhe për më gjerë, zonat e mbrojtura apo pjesë të tjera të natyrës që mund të ishin ndërtuar në mënyrë ekologjike, kanë humbur atë potencialin e tyre natyror”, u shpreh Iris Kola.

Qytetarët marshuan drejt Ministrisë së Brendshme e më pas në drejtim të rrugës së Elbasanit, pranë xhamisë së Namazgjasë, ku tentuan të thyejnë kordonin policor. Mirëpo u hasën në dhunë nga ana e policisë.

“Kemi ardhur përballë parlamentit, kemi ardhur për t’ju treguar pushtetarëve që ata nuk na përfaqësojnë më. Populli nuk ju do më dhe nuk ju duam më në këtë qeveri. Kemi ardhur për ti kërkuar dorëheqjen Edi Ramës me armën tonë të krimit, vezën”, u shpreh aktivistja Arvina Lleshi, ndërsa mbante në duar vezë.

Prania e shumtë policore solli edhe përplasje me qytetarët, ndërsa shtatë disa prej tyre u shoqëruan në komisariat.

Sot shënohet dita e 58-të e protestës në shesh, ndërsa qytetarët shprehen të vendosur për ta vijuar atë çdo ditë, duke shënuar një nga protestat më të gjata në kohështrirje në 36 vitet e fundit.

Lexo gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *